13 C
Tetovo
E premte, 23 Maj, 2025
BallinaOpinionNaser Selmani / Duke sulmuar shkollën në Nerovë po luftohet vetë qenia...

Naser Selmani / Duke sulmuar shkollën në Nerovë po luftohet vetë qenia shqiptare

Shkruan: Naser SELMANI

Shkolla në fshatin Nerovë, paralele e shkollës “Nikolla Karev” në Krushevë, funksionon në kushte shumë të vështira. Rreth 140 nxënës shqiptarë mësojnë në një objekt të vjetër, pa pajisje të duhura dhe me mungesë të kushteve elementare.

Për më shumë se 15 vjet, nuk janë bërë investime nga komuna e Krushevës apo ministria e Arsimit, ndryshe nga shkollat në zonat maqedonase që janë modernizuar. Nisma e banorëve për ndërtimin e një shkolle të re është penguar për shkak të mungesës së një plani detal urbanistik, duke ngritur dyshime për vonesa të qëllimshme nga institucionet.
Po ashtu, ka munguar dialogu me bashkësinë vendore dhe kërkesat e tyre janë injoruar vazhdimisht. Çështja është shfrytëzuar politikisht gjatë fushatave, por pa rezultate konkrete, duke rritur mosbesimin dhe ndjenjën e përjashtimit në mesin e bashkësisë.
Çështja e arsimit shqip në rajonet si Velesi, Çashka dhe së fundmi Krusheva nuk është thjesht rezultat i neglizhencës administrative, ajo përfaqëson një fenomen shumë më serioz dhe shqetësues. Pasiviteti institucional, që shfaqet përmes mungesës së investimeve dhe pengesave të pajustifikuara për ndërtimin e objekteve shkollore, shfaq elemente të një shovinizmi të maskuar institucional maqedonas që synon më shumë se vetëm shkollën shqipe, synon vetë praninë shqiptare në këto hapësira.

Rasti i Nerovës është dëshmi e qartë se institucionet publike dështojnë të sigurojnë kushte bazë për arsim cilësor në gjuhën shqipe, duke shkelur detyrimet kushtetuese dhe ligjore. Në vend që të mbështesin nismën e banorëve për ndërtimin e një shkolle me vetëfinancim, autoritetet lokale e pengojnë atë për shkak të mungesës së një lejeje ndërtimi. Kjo përbën jo vetëm një shkelje të parimeve të barazisë, por edhe një keqpërdorim të procedurave teknike për qëllime politike dhe etnike.

Në një shtet ku mijëra objekte të paligjshme janë legalizuar pa shumë zhurmë, përdorimi i mungesës së lejes si justifikim për të ndaluar shkollën shqipe është hipokrizi. Ky është një akt që synon të kriminalizojë nismat shqiptare dhe të zbehë identitetin kombëtar përmes asimilimit gjuhësor dhe shpërnguljes indirekte.

Nëse fëmijëve shqiptarë nuk u ofrohet mundësia për të mësuar në gjuhën e tyre, prindërit do të detyrohen t’i dërgojnë në shkolla maqedonase, duke nisur një proces të rrezikshëm të humbjes së identitetit. Dhe nëse ata refuzojnë, do të përballen me barriera administrative dhe ndëshkime që rikujtojnë kohët e represionit të kaluar, i cili ka për qëllim dëbimin e shqiptarëve prej vendlindjes së tyre. Prandaj, kjo lojë që gjatë kohë luhet nga institucionet maqedonase me shkollat shqipe në Maqedoninë Qëndore, nuk është vetëm çështje diskriminimi, por është përpjekje për të çkombëtarizuar shqiptarët. Dhe në rastin më të keq edhe dëbimin e tyre nga trojet e veta.

Shteti dhe komuna duhet urgjentisht të ndalin lojërat politike dhe të trajtojnë çështjen e shkollës në Nerovë me seriozitetin që kërkon ligji, kushtetuta dhe dinjiteti i qytetarëve.
Asnjë shkollë e ndërtuar me mund dhe sakrificë nuk guxon të rrënohet, ajo përfaqëson djersën e mërgimtarëve dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre.

Rrënimi i shkollës është rrënim i vetë themeleve të shtetit. Nevojitet vullnet politik, bashkëpunim institucional dhe ndjeshmëri njerëzore për të siguruar të drejtën themelore për arsim cilësor për të gjithë qytetarët, pa dallim.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments