Në vazhdim po ua sjellim reagimin e plotë të ish-kryetarit te Shoqates se Gazetareve te Maqedonise z.Naser Selmani:
Të nderuar miq,
Desha të ndaj me ju se javën e kaluar Gjykata e Apelit në Shkup e konfirmoi aktgjykimin e Gjykatës Civile në Shkup, me të cilin jam shpallur fajtor për shpifje dhe fyerje.
Gjykata vlerëson se kam shpifur ndaj një televizioni kombëtarë dhe drejtorit të saj, sepse në gjykatë nuk kam provuar se “mediat ende kontrollohen nga partitë dhe qeveria” dhe se “drejtori i televizionit ushtron presion ndaj gazetarëve”.
Ju rikujtoj se i njëjti drejtor, në vitin 2023, para gjithë opinionit publik maqedonas, ndërhyri në një emision debati në televizion, fillimisht u përpoq ta dëbonte mysafirin, e më pas i urdhëroi gazetarit ta ndërpriste emisionin.
Gjykata nuk caktoi dëmshpërblim, por më obligoi të paguaj shpenzimet e avokatëve të paditësve dhe të publikoj një pjesë të aktgjykimit në një gazetë ditore.
Këtë informacion e ndaj me ju jo sepse jam personalisht i prekur, por sepse ky aktgjykim mund të ketë pasoja të pallogaritshme për lirinë e shprehjes në Maqedoninë e Veriut, nëse nuk reagohet me kohë.
Është për të ardhur keq që gjykata pranoi një padi, e cila, po të respektohej në mënyrë konsekuente Ligji dhe praktika gjyqësore e Gjykatës Evropiane në Strasburg, do të duhej të rrëzohej.
Në parim, këto padi gjykata duhet t’i hedhë poshtë, sepse ato përdoren si mjet për shqetësimin, kufizimin ose ndëshkimin e shprehjes së lirë mbi tema me interes publik. Qëllimi i tyre është të ngacmojnë, frikësojnë dhe heshtin zërat kritikë në shoqëri dhe të krijojnë një “efekt frenues” ndaj debatit publik.
Duke e njohur problemin, Këshilli i Evropës në vitin 2024 miratoi Rekomandimin CM/Rec(2024)2 për luftën kundër përdorimit të padive strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPP).
Në këtë rekomandim, Këshilli i Evropës ua rikujton shteteve anëtare detyrimin për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të favorshëm për pjesëmarrje në debatin publik për këdo, pa frikë, edhe kur mendimet e tyre janë në kundërshtim me ato që mbrohen nga autoritetet zyrtare ose pjesë të rëndësishme të opinionit publik.
Rekomandimi thekson se zgjedhjet e lira, liria e shprehjes, veçanërisht debati i lirë politik, së bashku përbëjnë shtyllën e çdo sistemi demokratik dhe se, për rrjedhojë, ekziston një hapësirë shumë e kufizuar për kufizime të shprehjes politike ose debatit mbi çështje me interes publik.
I ftoj shoqatat e gazetarëve, SHGM-në, Sindikatën e Gazetarëve, SEEM-in dhe organizata të tjera joqeveritare që merren me mbrojtjen dhe promovimin e lirisë së mediave, t’i ndjekin me kujdes dhe të reagojnë në mënyrë të duhur ndaj këtyre përpjekjeve të rrezikshme për kufizimin e lirisë së shprehjes.
Gjithashtu, i bëj thirrje Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shkup, ambasadave të SHBA-së, Gjermanisë, Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar, t’i informojnë qeveritë e tyre për këtë praktikë negative gjyqësore që po vendoset në Maqedoninë e Veriut, e cila kufizon seriozisht lirinë e shprehjes në një vend anëtar të NATO-s dhe kandidat për BE.
