Presidenti i Francës, Emmanuel Macron nuk ishte i pranishëm në pjesën e parë të Samitit të Procesit të Berlinit, i cili po zhvillohet në Tiranë.
Shkak i shtyrjes së mbërritjes së tij në Tiranë u bë një sulm me thikë në një shkollë të Francës, ku mbeti i vdekur një mësues dhe dy të tjerë u plagosën.
Sakaq, është zbardhur dhe agjenda e vizitës së Presidentit Macron, i cili do të qëndrojë për 2 ditë në Tiranë.
Ai do të takohet ditën e nesërme me homologun e tij, Presidentin e Shqipërisë Bajram Begaj.
Agjenda e plotë:
Presidenti i Republikës së Francës, Emmanuel Macron, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Shqipëri.
Nesër më 17 tetor 2023 Presidenti francez do të takohet me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.
Më poshtë agjenda e vizitës në Presidencë:
8:25 -Mbërritja e Presidentit të Republikës Franceze në Institucionin e Presidentit të Republikës.
Presidenti i Republikës franceze do të pritet nga Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj.
-Interpretohet himni kombëtar francez;
-Interpretohet himni kombëtar shqiptar;
-Kryhet kalimi para truprojës së nderit;
-Dy krerët e shteteve prezantojnë ekipet e tyre respektive.
Presidenti i Republikës së Francës ftohet të nënshkruajë në librin e të ftuarve.
Në hollin ”Nënë Tereza” do të bëhet fotoja zyrtare.
08:35 – 09:05 – Takim kokë më kokë mes dy presidentëve.