23.4 C
Tetovo
E mërkurë, 18 Qershor, 2025
BallinaLajmeMungesa e Badenterit pengon miratimin e ndryshimeve në Kodin zgjedhor

Mungesa e Badenterit pengon miratimin e ndryshimeve në Kodin zgjedhor

Mungesa e Badenterit në Kuvend po pengon edhe miratimin e Kodit zgjedhor dhe është e paqartë nëse ngërçi mund të zgjidhet para zgjedhjeve lokale. Fronti Evropian është i vendosur që nuk do të mbështesë ndryshimet në Kodin zgjedhor të cilat sipas tyre po sillen pa konsensus.

“Nuk pranojmë marrëveshje të fshehta, marrëveshje pa konsensus me të gjitha partitë sidomos me partitë më të mëdha shqiptare pa debat publik kështu që mendojmë se ky ligj do të duhet të ketë një spektër më të gjerë të debatit publik, të jenë në bashkëpunim dhe marrëveshje me të gjitha partitë politike dhe të gjendet një zgjidhje”, tha Diana Toska, Fronti Evropian.

I pyetur nëse partitë duhet të ulen dhe të gjejnë zgjidhje, zv.kryeministri Mexhiti thotë se partitë duhet të ulen për më shumë çështje.

“Partitë politike është mirë të ulen më shpesh edhe për politikat ditore edhe për politikat strategjike. Ne jemi të gatshëm të ulemi dhe të jemi faktor stabilizues, faktor që e ndihmon situatën. Ndërsa çështja e badenterit ka të bëjë me disa çështje të tjera që duhet t’i sjell parlamenti dhe që janë në interes të shqiptarëve”, u shpreh Izet Mexhiti, Zv.kryeministër.

VMRO-DPMNE, VLEN, ZNAM dhe LSDM kërkojnë ndryshimin e Kodit zgjedhor dhe rregullimin e dispozitave që shfuqizoi Gjykata Kushtetuese rreth kandidatëve të pavarur në zgjedhje. Kushtetuesja në maj tha se mbledhja e të paktën 1% e nënshkrimeve nga votuesit në njësinë zgjedhore, gjegjësisht në komunën përkatëse nga kandidatët e pavarur dëmton pluralizmin dhe vlerat themelore Kushtetuese. Partitë tani detyrohen të kthejnë dhe të modifikojnë dispozitat e vjetra me të cilat parashikohen që kandidatët e pavarur duhet të mbledhin 1000 nënshkrime për zgjedhjet parlamentare dhe nga 100 deri më 3500 nënshkrime për zgjedhjet lokale, varësisht numrit të votuesve në komunë. Propozuesit thonë se janë përfshirë edhe disa rekomandime të ODIHR-së.

Sipas Frontit Evropian, ODIHR-ja kishte rekomanduar të rishikohet mënyra e vendimmarrjes në KSHZ gjatë shqyrtimit të ankesave në zgjedhje dhe të mos prishet vendvotimi për shkak të gabimeve teknike në procesverbale, rekomandime të cilat thonë se nuk janë në propozim-ligj. Ndryshimet miratohen me shumicë prej të paktën 61 deputetësh. Edhe pse një ditë më parë përfundoi debati, votimi u shty për një moment tjetër, për shkak se ligji kërkon edhe shumicën e Badenterit në nenet që kanë të bëjnë me zgjedhjet lokale. ODIHR-ja rekomandon që Kodi zgjedhor të mos ndryshohet të paktën gjashtë muaj para zgjedhjeve dhe të përpilohet një Kod tërësisht i ri zgjedhor. Ministria e Drejtësisë thotë se tashmë ka formuar grupet e punës, për ligjin e ri. /Alsat.mk

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments