22.1 C
Tetovo
E mërkurë, 27 Gusht, 2025
BallinaLajmeMucunski: RMV aktualisht nuk është gati t’i bëjë ndryshimet kushtetuese që i...

Mucunski: RMV aktualisht nuk është gati t’i bëjë ndryshimet kushtetuese që i kërkon Bullgaria

Si pjesë e vizitës së tij të punës në Bruksel, Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, dha një intervistë për revistën Politiko. Duke folur për procesin e integrimit evropian, ministri theksoi se vendi aktualisht nuk është gati të bëjë ndryshimet kushtetuese të kërkuara nga Bullgaria, përveç nëse merr garanci të forta nga Bashkimi Evropian se kjo do të jetë kërkesa e fundit e tillë.

“Frika jonë është: nëse bëjmë ndryshimet kushtetuese, çfarë do të ndodhë nëse pas gjashtë muajsh Bullgaria vjen përsëri me kërkesa që lidhen me historinë, identitetin ose gjuhën?”, tha Mucunski.

Ai theksoi se Maqedonia e Veriut është gati dhe tashmë po punon për të gjitha reformat e tjera të nevojshme, sepse ato nuk janë vetëm një kërkesë e Unionit, por edhe një nevojë e shoqërisë.

“Nëse nesër shtetet anëtare na thonë se duhet të bëjmë më shumë në fushën e sundimit të ligjit ose qeverisjes së mirë – ne e kuptojmë këtë. Dhe jo vetëm që e kuptojmë, por e ndiejmë si detyrimin tonë”, shtoi ministri.

Në intervistë, ai trajtoi edhe kontekstin gjeopolitik, duke theksuar se, ndërsa e kupton urgjencën për integrimin e Ukrainës, kjo nuk duhet të jetë në kurriz të Ballkanit Perëndimor.

“Investimi më i shpejtë dhe ndoshta më i lirë në stabilitetin evropian është që BE-ja t’i hapë dyert e saj të gjithë rajonit sa më shpejt të jetë e mundur. Nuk mendoj se zgjerimi selektiv është opsioni më i mirë”, tha Mucunski.

Ai kujtoi se Maqedonia e Veriut e filloi rrugën e saj evropiane së bashku me Kroacinë, por ndërsa Kroacia është sot anëtare e Shengenit dhe përdor euron, vendi ynë ende nuk ka filluar negociatat e anëtarësimit.

Ai shprehu besim se zgjerimi është ende i mundur.

“Dëgjojmë për skepticizëm ndaj zgjerimit. Por Maqedonia e Veriut – nga ana kulturore, sociale dhe politike – është një shoqëri evropiane. Nëse i bëjmë reformat siç duhet, nuk besoj se do të ketë rezistencë të fortë ndaj zgjerimit të rajonit tonë”, tha ai.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut po pret lëvizje nga Bullgaria mbi propozimin për të hartuar një rezolutë të përbashkët që do të konfirmonte veçantinë e identitetit dhe gjuhës maqedonase në Parlamentin Evropian.

Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime. 

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments