Ministria e Punëve të Brendshme për TV21 ka deklaruar se për rastin në Ndërmarrjes Publike “Higjiena Komunale”, tashmë është njoftuar edhe Prokuroria.
Siç bëjnë të ditur nga MPB-ja, denoncimi për këtë situatë ka ardhur në Stacionin Policor në Gazi Babë rreth orës 23, ndërkaq pas mesnatës, në orët e para të ditës së sotme ka pasur edhe një denoncim se disa të punësuar pengojnë hyrjen dhe kryerjen e punës në “Higjienën Komunale”.
“Më datë 07.07.2023 rreth orës 23.00 në Stacionin Policor në Gazi Babë është denoncuar se në Ndërmarrjen Publike në rajonin e Gazi Babës, një pjesë e të punësuarve para kapisë mbajnë protestë. Nëpunësit policorë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku është konstatuar se rreth 50 persona protestojnë. Gjithashtu, më datë 09.07.2023 rreth orës 01:30 është denoncuar se një pjesë e të punësuarve e pengojnë hyrjen në ndërmarrje dhe të punësuarit e tjerë që të kryejnë obligimet në punë. Është njoftuar prokurori publik”, thonë nga MPB-ja për TV21.