Nga MPB njoftuan se kanë parashtruar kallëzim penal ndaj personave D.G. (58), E.A. (58) dhe O.P. (44), të gjithë nga Shkupi, pasi të njëjtit dyshohen për lidhje me grupin e Gërçecit, përcjell TV21. Dy të parët janë ish zyrtarë të policisë. Nga MPB thonë se provat janë siguruar nga kontrollet e aplikacionit Sky, ku është zhvilluar komunikimi i grupit që dyshohet se merrej me vepra të ndryshme kriminale, përfshi këtu transportin e drogës nga Amerika e Jugut, në vendet e BE-së dhe në RMV.
Tre personat e arrestuar dyshohen për veprat penale “bashkim kriminal”, “zbulimi i sekretit zyrtar”, “pengimi i drejtësisë” dhe “fitimi dhe fshehja e paligjshme e pasurisë”.
“Janë lidhur me këtë grup kriminal në të cilin kishin një rol të veçantë për transmetimin e informacionit zyrtar, lidhur me grupet e organizuara kriminale të përfshira në kryerjen e veprimtarive kriminale nga disa fusha, veçanërisht të krimeve të rënda, disa prej të cilave dënohen me burgim të përjetshëm”, thuhet mes tjerash në njoftimin e MPB-së.
Ndërkaq, nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit thonë se personat në fjalë kanë bashkëpunuar me grupin prej dhejtorit të vitit 2019, deri në mars të vitit 2021.
“Kanë transmetuar informacione zyrtare. Në periudhën e përmendur, të dyshuarit, dy prej të cilëve ish-kryeinspektorë për krime pronësore, gjegjësisht tregti të paligjshme të lëndëve narkotike, përmes të dyshuarit të tretë për grupin kriminal, kanë marrë, transmetuar dhe ndarë informacione për procedura të rëndësishme për sigurinë publike, si dhe të sigurisë dhe veprimeve kundërzbuluese të organeve shtetërore”, shtojnë nga Prokuroria.
Nga Prokuroria shtojnë se ndaj personave në fjalë, kërkohet që gjykata të shqiptojë masën e paraburgimit./tv21.tv