Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka bërë të ditur se dy persona janë ndaluar në lidhje me incidentin e ndodhur sot në lagjen Çair, ku u raportua për një sulm fizik ndaj kryetares së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska.“Në lidhje me incidentin në të cilin u raportua se Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, është sulmuar fizikisht, dy persona janë ndaluar nga policia e SPB Shkup dhe aktualisht ndodhen në stacionin policor për intervista zyrtare”, thuhet në njoftimin zyrtar të MPB-së.
Sulmi ndodhi gjatë një vizite në terren, ku Arsovska dhe bashkëpunëtorët e saj kishin shkuar për të denoncuar një ndërtim të paligjshëm dhe keqpërdorim të resurseve publike si energjia elektrike dhe uji.
Pas daljes nga spitali “8 Shtatori”, ku u shtrua për shkak të lëndimeve dhe traumës, Arsovska deklaroi se ishte sulmuar me goditje fizike dhe kërcënime serioze para syve të policisë.
Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes janë në vijim.