Pesë dronë ukrainas u rrëzuan të martën pranë Moskës dhe rajonit të saj, sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes.
“Këtë mëngjes, një përpjekje e regjimit të Kievit për të kryer një akt terrorist u parandalua,” tha ministria në një deklaratë.
Katër dronet u shkatërruan nga mbrojtja kundërajrore pranë Moskës, ndërsa i pesti u neutralizua me “mjete të luftës elektronike”, shtohet në deklaratë.
Kryebashkiaku i Moskës Sergeu Sobianine shkruan në Telegram se sulmi u paandalua me sukses pa viktima.
Sipas shërbimeve të urgjencës të cituara nga agjencia ruse e shtypit RIA Novosti, dy prej dronëve u rrëzuan pranë fshatit Valouïevo, që ndodhet në periferi të kryeqytetit.
Një tjetër dron u rrëzua pranë Koubinka në rajonin e Moskës.
Sulmet ndërprenë për një kohë të shkurtër funksionimin e aeroportit të Moskës në Vnoukovo, i vendosur rreth 40 kilometra nga Koubinka, ku disa fluturime u ridrejtuan në aeroporte të tjera.
E vendosur më shumë se 500 km nga kufiri ukrainas, Moska rrallë herë ka qenë në shënjestër të sulmeve me dronë që nga fillimi i luftës.
Nga ana tjetër ish-kryeministri rus Dmitry Medvedev tha se “armagedoni” është i mundshëm nëse Perëndimi nuk pranon të negociojë me Rusinë për pushtimin e saj në Ukrainë.
Eseja e Medvedev, e botuar më 3 korrik, i bëri jehonë retorikës nxitëse ruse ndaj Ukrainës dhe Perëndimit, që synonte të minonte mbështetjen për Kievin përpara samitit të ardhshëm të NATO-s.
Ai përsëriti portretizimin e tij të luftës në Ukrainë si pjesë e një konflikti më të gjerë ekzistencial kundër Perëndimit, duke ripërsëritur shumë nga kërkesat e Putinit të paraluftës.
Medvedev la të kuptohej se Rusia është e përgatitur të përfshihet në këtë konflikt më të gjerë për “dekada” nëse këto kërkesa nuk plotësohen, duke lënë të kuptohet për mundësinë e një lufte bërthamore.