7.6 C
Tetovo
E enjte, 28 Nëntor, 2024
BallinaLajmeMiratohet Buxheti i Tetovës për vitin 2024

Miratohet Buxheti i Tetovës për vitin 2024


Kryetari i këshillit të komunës së Tetovës Besar Durmishi, tha se buxheti për vitin 2024 është 31 milionë euro dhe ka një rritje prej 4 milionë euro në krahasim me vitin 2021 kur buxheti ishte 27 milionë euro

Urim HASIPI

Tetovë, 28 dhjetor – Propozim buxheti i komunës së Tetovës për vitin 2024 ka përplasur partitë që janë në koalicion Lëvizjen BESA dhe VMRO-DPMNE-në me LSDM-në dhe BDI-në. Përderisa shumica në këshillin komunal pretendon se buxheti është zhvillimor dhe konform nevojave të qytetarëve, partitë e opozitës në këshill vlerësojnë se buxheti është për të rehatuar militantët partiak. Liridon Disha nga BDI-ja, tha se Tetova është me zymtë se vitin e kaluar dhe më shumë probleme se në të kaluarën për shkak të mos menaxhimit të mirë të komunës.

“Tetova edhe këtë vit vazhdon të jetë e mbytur me mbeturina, me qen endacak, me restrikcione të ujit të pijshëm, me kaos në trafik, me mungesë të parkingjeve, me shkolla skajshmërish të politizuara, me nxënës që ende mësojnë në tre turne nëpër shkolla, me korrupsion e nepotizëm. Ky vit mes tjerash do të mbahet mend edhe për marrëveshjen e fshehtë të Bilall Kasamit me VMRO-DPMNE-në për vendosjen e objektit pa leje, kryqit në Kodrën e Diellit, akt ku shfaqi shumë tensione dhe polemika”, tha Liridon Disha, këshilltar i BDI-së.

Ndërkaq, kryetari i këshillit të komunës së Tetovës Besar Durmishi, tha se buxheti për vitin 2024 është 31 milionë euro dhe ka një rritje prej 4 milionë euro në krahasim me vitin 2021 kur buxheti ishte 27 milionë euro. Ndër projektet kryesore përmendet rikonstruimi i tubacionit për ujësjellës në qytetin e Tetovës, pasi që për momentin ka humbje të ujit shkaku i gypave dhe rrjetit të vjetër dhe të dëmtuar.

“Janë ndarë 4 milionë denarë për strehimoren e qenve endacak, poashtu janë ndarë mjete për rrugën e butikëve. Poashtu kemi ndarë mjete për murrin mbajtës në rrugën e Banjës. 6 milionë denarë janë ndarë për shpronësim. Janë paraparë mjete për mirëmbajtjen, rikonstruimin dhe mbrojtjen e rrugëve lokale”, tha Besar Durmishi.

Në ndërkohë, nga LSDM-ja kërkuan që VMRO-DPMNE dhe Lëvizja BESA të punojnë për të mirën e qytetarëve. “Për fat të keq, nga ajo që shohim, Besa dhe VMRO, me skenarët e tyre dëshirojnë t,u shkaktojnë dëm qytetarëve të Tetovës, bashkëjetesën dhe mirëkuptimin mes tyre. Kërkojmë që koalicioni VMRO-BESA, të tërheqin vendimin për rrënimin e kryqit në Kodrën e Diellit. Tetova është qytet me shumë sfida të cilët duhet të jenë prioritet për pushtetit komunal dhe të njëjtat të zgjidhen”,  tha Gligorije Stojanovski, këshilltar I LSDM-së. Por, VMRO-DPMNE, pretendon se viti 2023 ishte vit kur filluan të zgjidhen problemet e qytetarëve të Tetovës. “Është zgjidhur problemi me ujin e pijshëm në Falisht dhe Saraqinë. Për herë të parë është asfaltuar rruga në lagjen e vikend shtëpizave në Kodrën e Diellit. Filloi vendosja e 9000 dritave të ndriçimit publik. Është rikonstruuar rruga ‘Kiro Ristovski’, ‘Vëllezërit Milladinovci’ e kështu me radhë. Për herë të parë dy net gjatë verës kulturore kanë qenë me këngë maqedonase. Punohet që të zgjidhet njëherë e përgjithmonë problemi me mbeturinat në Tetovë”, tha Angel karapetrov, nga VMRO-DPMNE.

Pro buxhetit të komunës së Tetovës për vitin 2024 votuan 17 këshilltarë, 13 ishin të përmbajtur. (koha.mk)

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments