Pasi në ambientet e shkollës fillore “Panajot Ginovski” në komunën e Butelit u panë minj, ka lindur ankth i madh tek prindërit e nxënësve.
Prindërit dhe fëmijët e tyre kanë protestuar dje, duke kërkuar reagim të menjëhershëm nga institucionet kompetente.
“Fëmijët nuk vijojnë mësimin për tre ditë. Ne kërkojmë që shkolla të pastrohet dhe dezinfektohet për sigurinë e fëmijëve tanë”, tha një nga prindërit për TV21.
Prindërit njoftojnë se do të vazhdojnë protestën deri në sigurimin e kushteve të sigurta dhe higjienike për mësimin.
Prindërit gjithashtu thonë se janë kërcënuar nga drejtoresha se të gjitha mungesat e nxënësve do të jenë pa arsye. Ndërkaq dje është bërë dezinfektimi dhe deratizimi i shkollës, por sipas prindërve, kjo nuk mjafton për të larguar minjtë.
Prindërit treguan raportin e Inspektoratit sanitar shëndetësor, ku qëndron se në inspektimin që kanë bërë me datë 7 prill, ku është konstatuar se higjiena është në nivel të pakënaqshëm, në shumë klasa dyshemetë dhe muret janë të papastra, shportat e mbeturinave të stërmbushura. Edhe tualetet janë me dyer dhe lavamanë të thyer e mure të shkarravitur.