Një komunikatë e publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë për Marrëdhënie Ndërkomunitare në Maqedoninë e Veriut, ka zgjuar indinjatë te autoritetet e Kosovës, por pavarësisht reagimeve, ajo nuk është hequr nga faqja e ministrisë së shtetit fqinj. Në atë komunikatë, Kosova është shënuar si “Kosovë e Metohi”, një term që e përdorin zyrtarët në Serbi, të cilët edhe e kontestojnë pavarësinë e shtetit më të ri në Europë.
Në këtë publikim flitet për pjesëmarrjen e zëvendëskryeministrit dhe ministrit për Marrëdhënie Ndërkomunitare në Maqedoninë e Veriut, Ivan Stoilkoviç në kampin e sportit “Serbia të thërret ty”, i mbajtur mes datave 1-11.08.2024 në Serbi.
Në pjesën e publikimit ku përmenden fëmijët që kanë marrë pjesë në këtë kamp, Kosova është shënuar si “Kosova dhe Metohija”.Ndonëse njoftimi nuk ka datë të publikimit, ministri Stoilkoviç, më 08.08.2024 njoftoi për pjesëmarrjen e tij në këtë kamp.
Për të kuptuar pse Kosovës iu referua me “Kosova dhe Metohija” nga një Ministri e Maqedonisë së Veriut, KALLXO.com ka drejtuar pyetje në Ministrinë e Punëve të Jashtme të këtij shteti, megjithatë deri në publikimin e këtij artikulli, kjo ministri nuk ka kthyer përgjigje.
Ngjashëm si në MPJ-në e Maqedonisë së Veriut, KALLXO.com ka drejtuar pyetje edhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, për të marr qëndrimin e shtetit rreth këtij rasti, njëherësh për të kuptuar nëse është komunikuar me Qeverinë maqedonase për këtë çështje.
Në MPJD thonë se e kanë përcjell verbalisht indinjatën dhe përmes Ambasadës në Shkup u kanë dërguar notë autoriteteve në Maqedoninë e Veriut.