1.3 C
Tetovo
E shtunë, 14 Mars, 2026
BallinaLajmeMinistria e Shëndetësisë e harroi parkun memorial për viktimat e modularit, nuk...

Ministria e Shëndetësisë e harroi parkun memorial për viktimat e modularit, nuk kanë filluar punimet

Hapsira ku ishte planifikuar të ndërtohet parku memorial për viktimat e spitalit modular në Tetovë vazhdon të mbetet e paprekur, punimet nuk kanë filluar edhe pas tetë muajve që kur pak para zgjedhjeve lokale funksionarët qeveritarë dhe deputet u fotografuan para kamerave dhe folën me emocione për viktimat e tragjedisë, shkruan Portalb.mk.

Parku memorial për 14 viktimat e zjarrit në Spitalin Modular të Tetovës vazhdon të mbetet vetëm një tabelë informuese.

Ndonëse u zvarrit me muaj të tërë, punimet nuk dihet kur do të fillojnë.

Nga Nisma Zero, të cilët fillimisht e propozuan krijimin e këtij parku, thonë se zyrtarët dhe ministrat e Qeverisë edhe njëherë dëshmuan se nuk e kanë hallin për familjarët e viktimave të Spitalit Modular, por hallin e marketingut politik.

Është ofendim dhe tallje me dinjitetin e familjarëve që pas gjithë atij pompoziteti dhe premtimeve për parkun memorial para disa muajsh, sot nuk është lëvizur as edhe një gur. Me këtë qasje, parku memorial që u premtua për kujtesë dhe reflektim po rrezikon të shndërrohet në parkun e harresës, sepse vetë institucionet duket se po përpiqen të harrojnë përgjegjësinë që mbajnë mbi këtë tragjedi”, thanë nga Nisma Zero.

Pavarësisht se ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu më 6 shkurt tha se presin leje nga Komuna e Tetovës për implementimin e projektit, nga komuna thonë se nuk është kërkuar leje.

“Ministria e Shëndetësisë nuk ka kërkuar leje/pëlqim për vendosjen e ndërtimit të parkut memorial”, thanë nga Komuna e Tetovës.

Nga Spitali i Tetovës na drejtuan në Ministri të Shëndetësisë, të cilët me javë nuk përgjigjen për këtë çështje.

Parku memorial nuk do të ndërtohet në vendin ku ishte objekti i spitalit modular, por pak më poshtë.

Kujtojmë që në qershor 2025 Nisma Zero së bashku me familjarët e viktimave të tragjedisë në spitalin modular dorëzuan në Komunën e Tetovës dhe Ministrinë e Shëndetësisë kërkesë ku propozuan që hapsira ku ndodhej objekti i spitalit modular të shndërrohet në park memorial publik.

Hapsira ku ishte spitali modular u shndërrua në parking, ku ende ka disa vetura të vjetra.Kujtojmë që në nëntor të vitit 2022 drejtori i atëhershëm i Spitalit të Tetovës Amir Elezi paralajmëroi se në këtë në vendin ku ndodhej objekti i spitalit modular, parashihej të vendosej pllakatë përkujtimore për viktimat e tragjedisë. Mirëpo kjo pllakatë nuk u vendos asnjëherë. 

Me 8 shtator 2021 në Spitalin Modular të Tetovës ku trajtoheshin pacientët me Kovid-19 ra një zjarr i tmerrshëm i cili mori me vete 14 jetë të pacientëve, por edhe të anëtarëve të familjeve që ndodheshin brenda. 14 persona u shpëtuan përpara se objekti të digjej plotësisht.

Shkaku i zjarrit i atribuohet kabllos së djegur ku shkëndija bëri që zjarri të përhapet dhe brenda pak minutash i gjithë spitali mori flakë.Deri tani ka pasur dy procese gjyqësore për këtë rast, por të akuzuarit nuk u thirrën në përgjegjësi për shkaqet e zjarrit, por për vepra tjera penale, për mos vendosje të aparateve kundër zjarrit.

Në ndërkohë, pavarësisht se kanë kaluar mbi dy vjet e gjysmë që kur Prokuroria Publike e RMV-së njoftoi se po zhvillohet një hetim i dytë nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit për zjarrin në spitalin modular, ende nuk ka vendim.

Në lidhje me mos sjelljen e drejtësisë për zjarrin e modularit, familjarët dhe qytetarët kanë organizuar disa protesta ku është kërkuar të hapet proces gjyqësor për shkaqet e zjarrit.Pasi fajtorët e zjarrit në Spitalin Modular të Tetovës nuk u sollën para drejtësisë dhe nuk pati proces gjyqësor për shkaqet e zjarrit, Ibin Emshi i cili humbi babain dhe vëllaun e tij, ka bërë denoncim për vrasje në Itali kundër RMV-së dhe pret që rasti të hetohet ndërkombtarisht dhe të arrijë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments