Ministria e Drejtësisë ka bërë kërkesë për fletërreshtim ndërkombëtar ndaj kryeterroristit Milan Radojiçiq, i cili dyshohet se kryesoi sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, të dielën.
Lajmi e ka konfirmuar për gazetën online Reporteri.net, Këshilltari i lartë në Ministrinë e Drejtësisë, Genc Nimoni.
Ai ka thënë se tashmë janë në pritje që i njëjti të pranohet nga Gjykata.
“Sipas legjislacionit ne fuqi, Ministria e Drejtësisë vepron sipas kërkesave te Gjykatave. Ministrja Haxhiu ne një paraqitje për medie ka theksuar rolin e Prokurorisë Speciale ne raport me fletë rreshtimin ndërkombëtar. Sipas legjislacionit ne fuqi, PSRK, pas kërkesës për urdhër arrest, drejton kërkesën për fletë rreshtim ndërkombëtar dhe e njëjta kërkesë duhet te parashtrohet ne Gjykate, ne rastin konkret ne Gjykatën Themelore ne Prishtine.
“Siç jeni ne dijeni tashme ky rast po trajtohet nga institucionet e drejtësisë dhe ne jemi ne pritje te Gjykatës për fletë rreshtimin ndërkombëtar. Sapo te kemi kërkesë nga Gjykata, Ministria e Drejtësisë do te veproje menjëherë dhe pa vonesa”.
Institucionet e sigurisë të Kosovës kanë mbledhur disa prova që tregojnë përfshirjen e kryeterroristit Radojiçiq në sulmin terrorist. Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka publikuar pamje ku shihet se Radojiçiqi ka qenë prezent gjatë sulmit, bashkë me kriminelët e tjerë serbë.
Madje, në një prej veturave të konfiskuara në vendngjarje, janë gjetur dokumente që po ashtu dëshmojnë ndikimin e kryeterroristit Milan Radojiçiq.
Përfshirjen e tij në sulm e ka konfirmuar shkarazi edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.