Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, ka pranuar publikisht se nuk e di numrin e saktë të mjekëve që punojnë pa licencë ose me licencë të skaduar në institucionet shëndetësore në vend.
Deklarata e tij vjen pas skandalit në Spitalin e Strugës, ku një mjek 42-vjeçar, për më shumë se pesë vite, nuk ka shkuar në punë, ka ndërprerë specializimin dhe ka vazhduar të marrë pagë, duke shkaktuar një dëm prej afërsisht 2 milionë denarësh në buxhetin e spitalit.
“Do ta them publikisht: nuk kam numrin e saktë të mjekëve që punojnë në institucionet shëndetësore të vendit. Në një sistem të tillë, nëse një mjek i tillë është shfaqur në Strugë, mund të ketë edhe në qytete të tjera.” – deklaroi ministri Azir Aliu.
Ai theksoi se problemi mund të zgjidhet vetëm përmes një analize funksionale, që do të tregojë sa personel shëndetësor punon realisht dhe sa është i nevojshëm.
Pa licencë nga viti 2020, por mori pagë deri në fund të vitit 2024
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, mjeku i raportuar nuk është paraqitur në vendin e punës që nga 1 korriku i vitit 2019 deri në datën kur mori vendimin për ndërprerjen e marrëdhënies së punës – më 29 nëntor 2024. Gjatë gjithë kësaj periudhe, ai nuk ka njoftuar institucionin për ndërprerjen e specializimit.
Për më tepër, nga 15 korriku 2020, kur i kishte skaduar licenca për ushtrimin e profesionit të mjekut, e deri në momentin e largimit nga puna, ai ka ushtruar profesionin pa një licencë të vlefshme, që lëshohet nga Oda e Mjekëve.
MPB ngre kallëzim penal, drejtori i spitalit pa sqarime
Ndaj mjekut 42-vjeçar, MPB ka ngritur kallëzim penal për vepër penale “punë e papërgjegjshme në shërbim”.
Ndërkohë, drejtori i Spitalit të Strugës, dr. Vladimir Bunçeski, në një përgjigje të shkurtër për televizionin “24”, deklaroi:
“Nuk kam informacione pse nuk është vepruar në këtë rast.”
Skandal që tregon për mungesën e kontrollit në sistemin shëndetësor
Ky rast ka hapur debate të mëdha për mungesën e kontrollit institucional, si dhe mosfunksionimin e mekanizmave bazikë të menaxhimit në sistemin shëndetësor.
Fakti që një mjek mund të qëndrojë pesë vite jashtë vendit të punës, të mos ushtrojë detyrën, të mos ketë licencë dhe të mos verifikohet nga asnjë strukturë, tregon për një krizë të thellë administrative dhe menaxheriale.
Ministri Aliu ka premtuar masa për të parandaluar raste të tilla në të ardhmen, por mungesa e të dhënave bazë për personelin mjekësor mbetet shqetësim i madh për opinionin publik.