Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, sot në Tetovë realizoi një takim me 155 persona – personel mjekësor dhe drejtues të Spitalit Klinik të Tetovës, të cilët i informoi se më në fund po i jepet fund një padrejtësie shumëvjeçare. Gjithashtu, ai vizitoi disa nga repartet e kësaj institucioni.
— Një institucion që të jetë funksional dhe të ofrojë shërbime cilësore, duhet të mbështetet në tre shtylla të domosdoshme: infrastrukturën, organizimin dhe faktorin njerëzor për të cilin besojmë se është më i rëndësishmi. Prandaj po investojmë për të përmirësuar kapacitetin e institucioneve shëndetësore. Kam kënaqësinë që takimin tim të parë e realizova pikërisht këtu me kolegët që përballeshin me një nga problemet më të mëdha që është punësimi. Disa prej tyre kanë punuar për 10 vite, e disa për muaj apo një vit, madje pa pagesë, vetëm për të qenë pjesë e institucionit. Sot, pas një muaji e gjysmë, jemi të kënaqur që ata tashmë janë pjesë e Spitalit Klinik të Tetovës , 155 punonjës për të cilët kemi përfunduar procedurat administrative. Hapi i fundit tani është dhënia e testit administrativ, që të mund të nënshkruhen kontratat mes drejtorit dhe të punësuarve, deklaroi ministri Aliu.
Ministria e Shëndetësisë mbetet e përkushtuar ndaj parimeve të barazisë, respektit dhe drejtësisë institucionale, veçanërisht ndaj profesioneve që përbëjnë shtyllat e sistemit shëndetësor.