Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski sot në seancën për pyetje deputetësh në Kuvend foli për largimin e ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi nga Maqedonia e Veriut. Toshkovski tha se polici kufitar bëri “gabim kardinal”, ndërkaq tha se i njëjti është shqetësuar apo emocionuar nga përmasat e figurës politike që po largohej nga Maqedonia, por edhe nga vetura luksoze me të cilën po transportohej i njëjti. Ministri premtoi se do të hetojë nëse rasti ka qenë i organizuar, apo koincidencë.
“Personin që po e përmendni, është fakt që është i pakapshëm për organet e ndjekjes. Të dielën, në orët e hershme të mëngjesit, personi i përmendur e ka lëshuar Maqedoninë me veturë me targa diplomatike, ai ishte pasagjer, ishte ulur përpara, me personin që voziste. Punonjësi i policisë kufitare bëri një gabim kardinal, në vend që të deklarojë se është në listën e ndalimit, i njëjti, i shqetësuar apo i emocionuar nga përmasat politike të personit që largohet nga Maqedonia apo nga luksi i automjetit, pa respektuar procedurën standarde, dhe pa konstatuar se ky ishte në listën e ndalesave, e la të kalojë pa pengesa. Kur polici e konstatoi se për personin ka listë ndalimi, personi tashmë ndodhej në Kosovë. Kjo u vërtetua nga një video incizim nga kamerat që regjistronin 24 orë në kufi”, tha mes tjerash Toshkovski.