Organizatorët në rastin me mashtrimin me kreditë e shpejta me procedurë urgjente gjatë ditës së sotme do të nxirren para gjykatës, deklaroi sot pasdite ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
Në televizionin “Alfa” ku ishte mysafir, Toshkovski tha se bëhet fjalë për gamë të gjerë të ndihmësve të cilët ishin të përfshirë në mashtrimin me kreditë e shpejta.
Prokuroria Themelore Publike Shkup sot kumtoi se është nisur procedurë kundër 43 personave të cilët me veprime të ndryshme të mashtrimeve kompjuterike, dokumente të falsifikuara dhe keqpërdorim të të dhënave personale morën pjesë në mashtrime të shumëfishta të qytetarëve me “kredi të shpejta”.
Për katër të dyshuarit, ndër të cilët edhe një person zyrtar nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor, është ngritur hetim për veprat penalë – Falsifikimi i dokumentit nga neni 378, Keqpërdorimi i të dhënave personale nga neni 149, Mashtrimi kompjuterik nga neni 251-б i Kodit Penal, ndërsa të tjerët janë përfshirë në procedurë me veprime individuale në ndihmë dhe bashkëkryerje në secilin nga rastet veç e veç.
Një pjesë e të dyshuarve, në kundërshtim me kushtet të përcaktuara me ligj dhe pa pëlqimin e qytetarëve kanë përdorur të dhëna të huaja personale, kanë bërë dokumente të rreme publike dhe kanë ndryshuar dokumente të vërteta publike me qëllim që dokumentet e këtilla të përdoret si të vërteta. Me vënien e të dhënave të pavërteta në sistemet informatike të dhjetëra shoqërive të ndryshme për „kredi të shpejta“, si dhe me falsifikimin e nënshkrimeve elektronike, pa dijeninë e të dëmtuarve në emër të tyre kanë marrë kredi, duke i obliguar në këtë mënyrë personat që t’i kthejnë mjetet gjoja të huazuara.
Të dhënat e këtilla të rreme personat i kanë përdorur që të marrin edhe disa kredi të ndryshme nga shoqëri të ndryshme brenda një dite, duke fituar kështu përfitime të konsiderueshme pasurore. Më pas i kanë tërhequr paratë nga llogaria dhe pjesën më të madhe ua kanë dhënë organizatorëve të dyshuar të mashtrimeve të këtilla.
Përfitimi i kundërligjshëm pasuror prej të gjitha këtyre veprimtarive gjithsej tejkalon tre milionë denarë.