“Është një komandim i përbashkët dhe ka një rishikim periodik që i bëhet situatës së sigurisë. Nëse është nevoja, edhe Shqipëria do t’i bashkëngjitet nëse është nevoja. Jemi në gatishmëri, nuk ka asnjë rezervë. Nuk është një vendimmarrje që i përket vetëm Shqipërisë, është një vendimmarrje kolektive”, ka theksuar Vengu, pas takimit me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci
Shqipëria është e gatshme që ta rrisë numrin e trupave ushtarake në Kosovë, po qe se për këtë shfaqet nevoja, është zotuar të premten ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, gjatë vizitës së tij të parë në Kosovë.
Vengu është pritur në Prishtinë me një ceremoni ushtarake të kryesuar nga ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. Pas takimit të zhvilluar, Vengu në një konferencë shtypi ka thënë se me Maqedoncin ka diskutuar mbi zgjerimin e bashkëpunimit në industrinë ushtarake.
“Patëm mundësi që të shkëmbejnë përpjekjet e përbashkëta për emergjenca civile. Kemi biseduar për rritjen e kapaciteteve. Kemi në dispozicion të gjitha instrumentet e armatosura që FSK-ja të ketë të gjithë nivelin e sigurisë. Bashkimi i forcave që resurset të mos humbin kohën në çështjen e ushtrisë civile dhe të investojmë në mënyrë të përbashkët”, ka thënë Vengu. “Është një komandim i përbashkët dhe ka një rishikim periodik që i bëhet situatës së sigurisë. Nëse është nevoja, edhe Shqipëria do t’i bashkëngjitet. Jemi në gatishmëri, nuk ka asnjë rezervë. Nuk është një vendimmarrje që i përket vetëm Shqipërisë, është një vendimmarrje kolektive”.
Ai ka theksuar se është arritur pajtim edhe për rritjen e kapaciteteve dhe në investim në kapitalin njerëzor.
“Keni në dispozicion pa dyshim të gjitha instrumentet e Forcave të Armatosura që nga akademia si të gjithë instrumentet, institutet, në mënyrë që FSK-ja të ketë të gjithë spektrin e sigurisë në vëmendje të trajnimit të forcave apo personelit tuaj. Pika e dytë që dakordësuam sot ka të bëjë me një veprimtari në gjithë brezin e bjeshkëve, sa i përket çminimit të disa zonave që kanë mbetur pa u trajtuar nga dy forcat e armatosura”, ka thënë ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë.
E Maqedonci ka deklaruar se Kosova dhe Shqipëria kanë bashkëpunim të vazhdueshëm në rrafshin e përballimit të çdo rreziku dhe kërcënimi.
“Këtu nga ndërtesa e Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, dua të ju bëjë të qartë të gjithë atyre akterëve dhe forcave që kanë mëdyshje se ne me Republikën e Shqipërisë, me ushtrinë shqiptare, jemi, kemi qenë dhe bashkëpunojmë në vazhdimësi për t’u përballur me çdo sfidë, çdo rrezik dhe kërcënim që synon të cenoj trashëgiminë, vlerat dhe sigurinë tonë të përbashkët”, ka thënë ai.
Ministri Vengu, krahas Maqedoncit, është pritur të premten edhe nga kryeministri, Albin Kurti.
“Sot në Kosovë, për të folur për ato ura që na lidhin, e të tjera që duhet të shtojmë në rrugëtimin tonë të përbashkët. Në takimin tejet të hapur e miqësor me kryeministrin Albin Kurti, vendosëm theksin në forcimin e bashkëpunimit në rrafshin e mbrojtjes, stabilitetin rajonal dhe ndërveprimin e domosdoshëm me aleatët tanë për një konsolidim të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës”, ka shkruar Vengu në rrjetin social Instagram.
Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit është bërë e ditur se Kurti e ka theksuar gjatë takimit me Vengun nevojën e dyanshme për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes.