Ministri i Kulturës, Hysni Ismaili, prej sot qëndron për vizitë pune në Frankfurt, Republika Federative e Gjermanisë, me rastin e prezantimit të vendit tonë në Panairin Ndërkombëtar të Librit.
Siç njoftoi Ministria e Kulturës, Ismaili sot do të marrë pjesë në evenimentin për të shënuar praninë e vendit tonë në këtë manifestim, dhe gjatë qëndrimit të tij, ministri do të realizojë takime me Tobias Vos, drejtor për bashkëpunim ndërkombëtar i Drejtorisë së Panairit të Librit në Frankfurt dhe me Oliver Zile, drejtor i Panairit të Librit në Lajpcig.
“Ky manifestim i panairit, i cili gëzon reputacion të evenimentit më të rëndësishëm në fushën e letërsisë në korniza evropiane dhe botërore, është jashtëzakonisht i rëndësishëm për promovimin dhe afirmimin e autorëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe krijimtarinë e tyre, ndërsa hap edhe mundësi për bashkëpunim intensiv të sektorit të botimit të vendit tonë me kolegët në të gjithë botën. Këtë vit, Ministria e Kulturës në Frankfurt prezantohet nëpërmjet Asociacionit të Botuesve të Maqedonisë (ABM), ndërsa letërsia jonë është prezantuar me botimet më të reja dhe më përfaqësuese nga autorët e njohur nga Republika e Maqedonisë së Veriut”, thuhet në njoftim.
Panairi i Librit në Frankfurt është më i madhi në kuadër të industrisë ndërkombëtare të botimit, me më shumë se 7.500 ekspozues nga 110 vende, rreth 285.020 vizitorë dhe 139.460 vizitorë tregtarë. Ka më shumë se 4,000 evenimente dhe rreth 10,000 gazetarë të akredituar, duke përfshirë edhe 2,000 blogerë, njoftojnë nga Ministria e Kulturës.