Ministri i Drejtësisë Krenar Lloga, thotë se ndodhi ajo edhe çka pritej dhe se organet e drejtësisë nuk shohin asgjë se çka ndodh. Ai ka folur edhe ligjin për amnisti. Sipas tij, ky ligj është për shkak se burgjet në vend janë të stërmbushur
Urim HASIPI
Tetovë, 20 korrik – Pasi që edhe biznesmeni Orce Kamçev u ndodh në listën e zezë të Amerikës, Ministri i Drejtësisë Krenar Lloga, thotë se ndodhi ajo edhe çka pritej dhe se organet e drejtësisë nuk shohin asgjë se çka ndodh. “Me Kamçev ndodhi ajo që pritej të ndodhte, në fakt që organet gjyqësore në Maqedoninë e Veriut nuk janë duke e parë. Kamçev është kryesori për shkatërrimin e Prokurorisë Publike Speciale dhe emri i tij lidhet me shumë probleme që janë aktuale në vend. Më vjen mirë që ai është gjendur në listën e zezë të SHBA-ve dhe ndjej shumë keqardhje që organet gjyqësore nuk kanë dashur ta shohin atë, me syrin që sheh çdo qytetar i thjeshtë në vend”, deklaroi Lloga.
Ministri Lloga, ka folur edhe ligjin për amnisti. Sipas tij, ky ligj është për shkak se burgjet në vend janë të stërmbushur. “Ligji për amnisti vjen nga ajo se një pjesë e burgjeve janë të mbingarkuara dhe nuk ofrohet ai shërbim për të cilin është edhe vet ekzistenca e burgjeve që është risocializimi i qytetarëve që u është privuar liria. Tash ne po tentojmë që me të gjithë partitë parlamentare të rikthejmë në procedurë ligjin e përpiluar në vitin 20218, ku një pjesë e të burgosurve apo kryerësve të veprave të njëjta penale mund të dalin në liri dhe burgjet të mos jenë të mbingarkuara”, deklaroi ministri Lloga.
Ndërkohë, akuzave të Izet Mexhiti se në propozimet për ndryshimet kushtetuese, nuk është përfshirë edhe heqja e 20 përqindshit për gjuhën shqipe dhe për këtë fajtor është BDI dhe ASH, me këtë rast, ministri Lloga nënvizoi se Mexhiti duhet të përdorë afërsinë me Mickoskin për ta bindur atë që të votohen ndryshimet kushtetuese me këtë edhe heqja e 20 përqindëshit për gjuhën shqipe do t`i propozohej Parlamentit. “Është paradoks që në sezonin e zjarreve në vend, grupi i zjarrit u shua. Tani ata tentojnë të hyjnë në skenën politike thuajse janë nuse e re politike , por në fakt janë 20 vjet në politikë. Ajo që ka shkuar në kuvend është detyrim nga korniza kushtetuese ndërsa kërkesa për heqjen e referncës së 20 përqindëshit për gjuhën shqipe do të vazhdojë të mbetet por ne nuk mund t`i japim luksin VMRO-DPMNE-së që ajo të thërret në kërkesën e 20 përqindëshit, të mos e jep mbështetjen. Ne e lusim në këtë rast edhe zotin Mexhiti në bazë të afërsisë së tij me zotin Mickoski që nëse mund ta bind atë atëherë ne menjëherë do të kemi një iniciativë tjetër e cila do të shkojë në kuvend dhe bashkërisht ta heqim këtë definicon regresiv”,theksoi Lloga.
Ai është shprehur optimist se do të gjenden deputetë të mjaftueshëm për të votuar ndryshimet kushtetuese. “Unë jam në mesin e atyre që besojnë dhe shpresojnë se ndryshimet kushtetuese do të kalojnë brenda vitit 2023 sepse ju keni parë oscilacione brenda VMRO-DPMNE-së gjatë gjithë kësaj periudhe kohore ku ka pasur ndryshime drastike të qëndrimeve. Kështu që unë besoj se ato do t`i mbështesin këta ndryshime kushtetuese dhe nëse ata këtë nuk do ta bëjnë si subjekt politik atëherë do të gjenden edhe individ në këtë rast deputet brenda shumicës së VMRO-DPMNE-së që do të përkrahin ndryshimet kushtetuese”, u shpreh Lloga.
Këto komente janë bërë gjatë hapjes së zyrës për ndihmë juridike falas në Komunën e Bogovinës. Me këtë rast, ministri Lloga dhe Kryetari i Komunës së Bogovinës kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi. Njëkohësisht para objektit të Komunës është zhvilluar edhe fushatë promovuese për ndihmën juridike falas. (koha.mk)