Gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar për Luftën Kundër Dezinformimit, Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha tha se Rusia po përpiqet të destabilizojë Ballkanin. Ai theksoi se Moska, me ndikimin e saj në qarqet politike dhe ekonomike, po synon të pengojë integrimin euroatlantik të rajonit tonë.
“Është gjerësisht e pranuar se aktorët kryesorë të luftës hibride dhe në çdo sulm kibernetik, janë të ashtuquajturit Big 4, katër shtetet kryesore: Rusia, Kina, Irani dhe Koreja e Veriut. Në vendet e Ballkanit Perëndimor, ndër vendet më aktive në luftën hibride është Rusia. Rajoni i Ballkanit Perëndimor ndodhet i ndarë dhe në të veprojë forca konkurruese politike. Vlerësohet se Rusia ka shtuar prezencën dhe ndikimin në rajon, duke kundërshtuar dhe vonuar procesin e integrimit europian të këtyre vendeve nëpërmjet influencës politike, po dhe ekonomike”, tha Hoxha.