10.2 C
Tetovo
E diel, 25 Maj, 2025
BallinaLajmeMimoza Musa: Politika kalon, por fjalët dhe sjelljet mbeten

Mimoza Musa: Politika kalon, por fjalët dhe sjelljet mbeten

 Deputetja e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Mimoza Musa, ka dalë me një prononcim të dytë publik pas vendimit të saj për t’u larguar nga Aleanca për Shqiptarët (ASH) dhe për të qëndruar në kuadër të koalicionit VLEN, shkruan Flaka. Në mesazhin e saj emocional dhe reflektues, Musa thekson sfidat që ka kaluar në këtë periudhë dhe bindjen e saj për të qëndruar në krah të qytetarëve.

“Nuk është e lehtë të ecësh përpara, kur zërat e jashtëm bërtasin më fort se e vërteta jote. Nuk është e lehtë të mbetesh e drejtë, kur rreth teje ndërtohen skenarë që s’kanë të bëjnë me ty”, u shpreh ajo, duke theksuar se përballë çdo dileme politike, ajo ka zgjedhur besimin e qytetarëve si forcën kryesore të saj.

Deputetja Musa përmendi me mirënjohje pritjen dhe mbështetjen që ka marrë nga qytetarët në çdo takim: “Faleminderit, që nuk më shikuat vetëm si një emër në një listë, por si një njeri me mision.”

Duke bërë thirrje për bashkim dhe dialog përtej ndasive politike, ajo theksoi se: “Në një kohë kur politika shpesh ndan, unë zgjedh të ndërtoj ura. Sepse besoj thellësisht se më e shenjta që kemi si shoqëri nuk janë pozitat, por marrëdhëniet njerëzore.”

Ajo u shpreh se nuk do të fshihet pas heshtjes, por do të flasë hapur dhe do të qëndrojë aty ku e vendosi vota e lirë, me përkushtim ndaj drejtësisë dhe transparencës: “Sepse politika kalon. Por ajo çfarë mbetet është si e mbajmë fjalën, si sillemi me njëri-tjetrin, dhe çfarë lemë pas në zemrat e njerëzve.”

Me këtë prononcim të dytë, Mimoza Musa e konfirmon se rruga e saj politike nuk është e ndikuar nga kalkulime të ngushta partiake, por nga një përkushtim i sinqertë për t’u shërbyer qytetarëve dhe për të ndërtuar ura bashkëpunimi.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments