Kryeministri Hristijan Mickoski, I ftuar në lajmet e RTM-së, duke folur për 5 tonët drogë që përfunduan në Serbi dhe që, sipas prokurorisë serbe, e kanë origjinën nga Maqedonia, theksoi se bëhet fjalë për një rast serioz, si rezultat i një projekti që praktikisht ishte politikë ekonomike e qeverisë së LSDM-së dhe BDI-së. Ai shtoi se pret që ditëve në vijim Ministria e Punëve të Brendshme të dalë me dhjetëra tonë drogë të sekuestruar, për të cilën është konstatuar se është hedhur ilegalisht në qarkullim ose është magazinuar në mënyrë të paligjshme.
“Ky është një rast serioz. Ky është një projekt që në të kaluarën e udhëhiqte qeveria paraprake, e cila manipuloi një pjesë të madhe të qytetarëve dhe investitorëve, duke u premtuar se në këtë mënyrë do të bëheshin milionerë, se gjithçka do të ishte ndryshe, se do të kishte transformim ekonomik. Kjo ishte praktikisht politika ekonomike e qeverisë së LSDM-së dhe BDI-së. Pres që ditëve në vijim Ministria e Punëve të Brendshme të dalë me dhjetëra tonë, jo me disa tonë, por me dhjetëra tonë të këtij lloji mjetesh të ndaluara, përkatësisht substanca të ndaluara, drogë – në këtë rast marihuanë – e cila aktualisht ndodhet në magazinat në Maqedoni, ose për të cilën ka pasur marrëdhënie ndërmjet subjekteve të caktuara juridike, jo vetëm brenda shtetit, por edhe jashtë tij, për të cilat është konstatuar se janë hedhur ilegalisht në qarkullim, por edhe që janë magazinuar në mënyrë të paligjshme,” theksoi Mickoski.
Ai shtoi gjithashtu se ajo që qytetarët do të dëgjojnë ditëve në vijim për atë që ka ndodhur do të jetë vërtet katastrofike dhe se krijuesit e këtyre politikave nga e kaluara duhet të mbajnë përgjegjësi për shumë të rinj që janë bërë viktima të kësaj mënyre të funksionimit.
“Qytetarët do të jenë dëshmitarë të një situate shumë të rëndë që ka ndodhur. Ky është një aksion që zgjat, nuk është vetëm i tani, thjesht nuk kemi pasur gjithmonë mundësi që publikisht dhe në mënyrë transparente të publikojmë shifra dhe të dhëna. Por ajo që qytetarët do të dëgjojnë dhe do të shohin këto ditë, mendoj se duke filluar që sot, do të jetë vërtet diçka katastrofike, dhe të gjithë krijuesit e atyre politikave duhet të mbajnë përgjegjësi për shumë të rinj që, fatkeqësisht, janë bërë viktima të kësaj mënyre funksionimi të disa politikave të së kaluarës,” theksoi Mickoski.
