Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, përsëri ka hedhur akuza të rënda se pas zjarreve që kanë përfshirë vendin qëndron një grup prej rreth 20 personash, të cilët sipas tij janë nën monitorim të organeve të sigurisë.
Por Ministria e Punëve të Brendshme prej ditësh nuk jep asnjë përgjigje për këtë çështje.Mickoski ka përsëritur disa herë se “pas zjarreve fshihen qendra të brendshme dhe të jashtme të pushtetit që duan të krijojnë kaos para zgjedhjeve”, ndërsa ka theksuar se organet e ndjekjes duhet të veprojnë ndaj këtyre individëve.
“Veçmë kemi një grup prej njëzet personash nën monitorim, për të cilët ekziston dyshim i bazuar se janë sjellë në mënyrë devijante gjatë periudhës së kaluar. U takon organeve të ndjekjes që ta kryejnë punën e tyre”, tha kryeministri më 18 shtator në një intervistë për televizion kombëtar.
Edhe më 16 shtator, gjatë një vizite në Jegunovcë, Mickoski deklaroi se strukturat e MPB-së tashmë kanë identifikuar këtë grup dhe se në ditët në vijim do të ketë aksione të koordinuara me Ministrinë e Mjedisit.
Megjithatë, MPB deri më sot nuk ka dhënë asnjë sqarim: kush janë këta persona, a kanë lidhje politike, a janë të ndikuar nga qendra të huaja, dhe nëse ndonjëri prej tyre është thirrur për marrje në pyetje.
Ky mosreagim ngre pikëpyetje të mëdha, pasi bëhet fjalë për akuza të lëshuara nga vetë kryeministri i vendit, ndërkohë që zjarret nuk u shuan as gjatë fundjavës së fundit.