Kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski, deklaroi se shumë shpejt, ndoshta për disa muaj, publiku do të njihet me detaje për vrasjen e 14-vjeçares Vanja Gjorçevska dhe 74-vjeçarit Pançe Zhezhovskit, për shkak se siç shtoi, ka hollësi dhe mangësi të mëdha në hetim.
“Jo që besoj, por di, dhe ato informacione që unë i di, janë serioze”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Megjithatë Mickoski tha se këto gjëra tash për tash nuk do ti diskutojnë, sepse siç u shpreh, deri më tani si parti kanë qëndruar larg krejt ngjarjes, me qëllim që të mos krijohet përshtypja se po përzihen në proces.
Pas këtyre fjalëve të Mickoskit, reagoi partia në pushtet LSDM, nga ku zëdhënësja Bogdanka Kuzevska tha se nuk e kishin menduar se DPMNE të binte kaq poshtë dhe ta përdorë vrasjen më të tmerrshme në Maqedoni për politikë ditore. Pyeti nëse Mickoski ka pasur takime me të dyshuarin për vrasje Lupço Palevski.
“Mickoski dhe VMRO-DPMNE duhet të përgjigjen nëse këto manipulime që po i bëjnë janë për t’u defokusuar nga pyetjet pa përgjigje të Mickoskit për takimet që ka pasur me Palevskin? Ai është pyetur nga disa media, dhe këtu sot pyesim sërish nëse janë takuar dhe çfarë kanë biseduar dhe dakorduar Mickoski dhe Palevski? Palevski ishte një bashkëpunëtor i ngushtë i regjimit të DPMNE-së, i cili mbështeti publikisht Mickoskin, si dhe partnerin e tyre të koalicionit “Levica””, tha Bogdanka Kuzevska, zëdhënëse LSDM.
Zëdhënësja socialdemokrate e rikujtoi Mickoskin se fshehja e provave është krim, andaj shtoi se presin që institucionet të veprojnë menjëherë dhe urgjentisht të thirret në Prokurori për të treguar ato që di. Kuzevksa po ashtu kërkoi nga organet kompetente, në radhë të parë Prokuroria, që të hetojnë marrëdhëniet e Palevskit me të gjithë bashkëpunëtorët e tij, përfshirë edhe Mickoskin.