– Deputetja e Bashkimit Demokratik për Integrim, Rina Ajdari në seancën e sotme të pyetjeve të deputetëve, kërkoi përgjigje nga kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski për keqpërdorimin e parave popullore, duke permendur shembullin me tenderin për zgjedhje të kompanisë për furnizim të kripës për rrugët publike në vend. Ajdari potencoi se marrëveshja është me vlerë 2,3 milionë euro, e sipas së cilës tenderët janë fituar në mënyrë të dyshimtë, që të favorizohet kompania, e cila nuk ka pasur asnjë të punësuar. Ajo kërkoi nëse kryeministri Mickoski do të garantojë të ketë hetim për këtë rast ose, siç tha, skandali do të harrohet.
Kryetari i Qeverisë, Mickoski në përgjigjen e tij tha se pohimet e deputetes Ajdari për tenderin për furnizimin e kripës për rrugët publike, do të shqyrtohen që sot.
“Dhe nëse ka dyshim të bazuar për kryerjen e veprës penale, menjëherë e njëjta do të sanksionohet. Tolerancë për krim as nuk ka, as nuk do të ketë, kushdo që e bën atë tentim. Ashtu që, bëhuni të sigurt se me këtë Qeveri, parimi ‘si deri tani’, nuk do të jetë i zbatueshëm”, deklaroi Mickoski.
Deputetja Ajdari parashtroi pyetje edhe për zëvendës kryeministrin, Izet Mexhiti dhe për ministrin e Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani për vizitën e fundit të Millorad Dodikut, si dhe nëse do të kërkojnë përgjegjësi nga zëvendës kryeministri dhe ministri i Marrëdhënieve mes Komuniteteve, Ivan Stoilkoviq për organizimin e spektaklit, për të cilin, tha Ajdari, ka qenë prorus dhe atë në qendër të Shkupit. Deputetja Ajdari përgjigjet e pyetjeve të parashtruara kërkoi t’i marrë me shkrim, pasi edhe Mexhiti edhe Murtezani nuk morën pjesë në seancën e sotme të Kuvendit për parashtrimin e pyetjeve të deputetëve.