Kryeministri Hristijan Mickoski sonte, në një intervistë në TV Telma, tha se gjyqtarët në vend kërkojnë buxhet gjyqësor shumë mbi mesataren evropiane, madje deri 75% më shumë. Prandaj, sipas tij, nuk ka arsye që kjo shumë të rritet, pasi gjyqtarët nuk kanë treguar rezultate për të justifikuar një buxhet të tillë.
Nga pjesë të intervistës së sonte në TV Telma, Mickoski tha:
“Do të prezantoj një analizë për qytetarët. Ky është raport evropian. Buxheti që ne si shtet e ndajmë për gjyqësorin është 0,39% e BPV-së sonë. Fqinja Greqi ndan 0,26%, Franca 0,2%. Gjermania ndan 0,3%, ndërsa mesatarja evropiane është 0,31%, dhe mediana është 0,28%. Ne ndajmë më shumë se mesatarja dhe më shumë se mediana evropiane, ose në shifra – më shumë se 75% e vendeve anëtare të BE-së”, tha ai.
Sipas tij, edhe vendet që synojnë anëtarësimin në BE ndajnë më pak se Maqedonia – si Shqipëria me 0,295%, Moldavia me 0,35% dhe Gjeorgjia me 0,23%.
“Ligji thotë se kjo shumë duhet të jetë deri në 0,8%. Ndërsa me ndryshimet e reja, kërkojnë minimum 0,5% për prokurorinë, pra gjithsej 1,3%. Por kjo teorikisht është e pamundur, sepse do të ishte trefishi i vendit që ndan më shumë për gjyqësorin në Evropë”, tha Mickoski.
Duke lexuar të dhënat nga raporti evropian, ai shtoi se një gjyqtar fillestar në vend merr rreth 19.170 euro bruto në vit, ndërsa një gjyqtar fillestar në Slloveni merr 34.101 euro bruto – rreth 80% më shumë.BPV-ja në Maqedoni është rreth 6.500 euro, ndërsa në Slloveni 28.000 euro. Pra, matematikisht, një gjyqtar fillestar në Slloveni merr 80% më shumë pagë bruto, duke pasur BPV trefish e gjysmë më të lartë. Ku është proporcionaliteti këtu?”, tha kryeministri.
Ai shtoi se publiku duhet ta dijë se një kryetar gjykate në vend ka një pagë prej rreth 180.000 denarësh (rreth 3.000 euro). “Rroga ime si kryeministër është 155.000 denarë”, tha ai.
Sa i përket buxheteve gjyqësore në rajon, ai tha: në Shqipëri 0,17% e BPV-së, ndërsa ne 0,30%; Moldavia 0,18%; Gjeorgjia 0,15%.
Sipas tij, analiza tregon qartë se Maqedonia ndan për gjyqësorin më shumë se 75% e vendeve të BE-së. “Absolutisht nuk shoh nevojë për rritjen e kësaj shume”, theksoi ai.
Ai shtoi se qeveria nuk ndërhyn në gjyqësor, por është përgjegjëse për mënyrën si shpenzohen paratë publike.
Mickoski rikujtoi se ka pasur abuzime në të kaluarën kur disa prokurorë merrnin deri në dhjetëfishin e pagës së kolegëve të tyre, duke përmendur rastet e çantave ‘Louis Vuitton’ dhe honorareve të mëdha.
I pyetur për luftën ndaj krimit dhe korrupsionit, ai tha se tani po hapen hetime dhe po ngriten kallëzime penale: “Një gjyqtar i Gjykatës së Lartë u kap në flagrancë duke marrë ryshfet. Po ashtu është i përfshirë një ish-funksionar i lartë i Prokurorisë dhe anëtar i Këshillit të Prokurorëve, gjë e paimagjinueshme më herët. Kemi edhe një drejtor të një institucioni shëndetësor të kapur me ryshfet, si dhe një drejtor nga strukturat e VMRO-DPMNE-së që gjithashtu është arrestuar.”
Ai tha se nuk është i kënaqur me punën e këtij Këshilli Gjyqësor dhe të prokurorit të shtetit, Ljupço Kocevski, ndaj sipas tij, një shkarkim i tij do të ishte hap logjik.
“Nëse çmimi politik është të kritikohëm në raportet ndërkombëtare, por ndërkohë buxheti i gjyqësorit është më i lartë se në 75% të BE-së, atëherë dikush duhet të mendojë mirë se çfarë po bën”, tha Mickoski.
I pyetur se sa duhet të jetë paga e një gjyqtari, Mickoski tha se nëse paga mesatare në vend është 45.000 denarë, ndërsa kryetari i gjykatës merr 180.000 denarë, që sipas tij është shumë e lartë, atëherë gjyqtari duhet të marrë sa paga e kryeministrit – rreth 150.000 denarë.
