Kryeministri Hristijan Mickoski ka mohuar kategorikisht pretendimet për bisedime lidhur me pranimin e migrantëve në vend, duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe si përpjekje për të krijuar panik dhe frikë te qytetarët.
Ai tha se Qeveria ka dhënë disa herë përgjigje të qarta se nuk janë zhvilluar bisedime të tilla dhe se një opsion i tillë “as që i shkon ndër mend” ekzekutivit aktual. Sipas Mickoskit, është e nevojshme që organet e drejtësisë të merren me përhapjen e dezinformatave që, sipas tij, synojnë destabilizimin e opinionit publik.
Kryeministri theksoi se e vërteta qëndron në faktin se Qeveria e kaluar ka hartuar Strategjinë Kombëtare për Pranimin e Migrantëve për periudhën 2017–2027, e cila parashihte që komunat të siguronin kushte për ndërtimin e kampeve të migrantëve.
“Ne, si Qeveri, vazhdimisht kemi sqaruar këtë çështje. Unë personalisht, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Punëve të Jashtme kemi deklaruar qartë se nuk ka pasur dhe nuk ka bisedime të tilla”, tha Mickoski.
Ai akuzoi opozitën se po e mban gjallë këtë temë për qëllime politike, duke theksuar se pikërisht strukturat e mëparshme qeverisëse kanë qenë ato që kanë hartuar strategjinë për pranimin e migrantëve dhe kanë kërkuar nga komunat hapësira për kampe.
Deklaratat Mickoski i bëri në përgjigje të një pyetjeje të gazetarëve, pas vënies në funksion të stacionit të rikonstruktuar policor në Butel, duke komentuar edhe rezolutën e paralajmëruar nga VMRO-DPMNE.
Ai shtoi se muajt e ardhshëm do të dëshmojnë, sipas tij, se nuk do të ketë migrantë dhe ngriti pyetjen se cili do të jetë atëherë justifikimi i atyre që, siç tha, e përdorin këtë temë për propagandë politike
