Vizioni jonë është i qartë, duam një administratë publike që do të jetë shembull i efikasitetit, transparencës dhe llogaridhënies, theksoi kryeministri Hristijan Mickoski në hapjen e Konferencës vjetore ministrore të Shkollës rajonale për administratë publike. Konferenca i kushtohet temës “Gjenerata e ardhshme e menaxhimit dhe inovacioneve në administratën publike”.
“Administratë publike që do të jetë jo vetëm në shërbim të qytetarëve, por edhe partner në ndërtimin e masave dhe hapave të ardhshëm. Flasim për një temë të rëndësishme, që ndër vite rrallëherë ka qenë objekt analize studimore apo qasje profesionale, ajo është administrimi dhe masat që duhen ndërmarrë për një cilësi më të lartë shërbimesh, por edhe inovacionet si një sfidë e rëndësishme në këtë plan”, tha Mickoski.
Theksoi se kjo është një temë e cila jo vetëm që përcakton cilësinë e shërbimeve që marrin qytetarët, por edhe formëson imazhin e shtetit.
“Në periudhën e kaluar të gjithë kemi qenë dëshmitarë të sfidave me të cilat përballet administrata. Proceset e ngadalta, mungesa e digjitalizimit, ndonjëherë edhe transparencë jo e mjaftueshme. Por edhe partizimi i cili është problem i hapur, gjithashtu dhe kompetenca e pamjaftueshme kundrejt sektorit privat. Këto probleme nuk mund t’i anashkalojmë – ato janë reale dhe për to duhet gjendur zgjidhje”, theksoi kryeministri.
Ai i është referuar edhe qëllimeve dhe rëndësisë së reformave. Duke folur për digjitalizimin e shërbimeve, tha se do të sigurojë që sa më shumë shërbime të jenë në dispozicion onlajn me një klikim për të reduktuar kohën e pritjes dhe për të rritur kënaqësinë e shfrytëzuesve.
Mickoski ka folur edhe për efikasitetin dhe profesionalizmin, si dhe për transparencën dhe llogaridhënien, uljen e burokracisë, vlerësimin e punës si qëllime të caktuara.
“Angazhohem për një administratë të depolitizuar, ku si kye do të jenë ekspertiza dhe përkushtimi. Ne do të forcojmë mekanizmat e mbikëqyrjes dhe llogaridhënies. Çdo qytetar ka të drejtë të dijë se si dhe ku shpenzohen mjetet publike. Administrata duhet të jetë partner, jo pengesë për qytetarët dhe bizneset. Punojmë për të thjeshtuar procedurat dhe për të reduktuar dokumentet e panevojshme. Nevojitet një sistem për të shpërblyer ata që punojnë me vullnet dhe ndershmëri, për të motivuar të gjithë punonjësit në administratë që përpiqen për përsosmëri”, nënvizoi kryeministri.
Reformat, siç potencoi ai, nuk janë vetëm për përmirësimin e shërbimeve, por edhe për rikthimin e besimit.