5.3 C
Tetovo
E martë, 25 Shkurt, 2025
BallinaLajmeMickoski / Me investim prej mbi një miliard euro në energjetikë në...

Mickoski / Me investim prej mbi një miliard euro në energjetikë në vend hyn grupacioni turk “Kazançi Hollding”

Kryeministri Hristijan Mickoski në një konferencë për media sonte paralajmëroi një mega-investim në termocentrale me gaz që do të kapte vlerën e afro një miliard euro nga grupacioni turk “Kazançi Holding”, i cili përmes kompanive të tij energjetike që operojnë nën markën “AKSA”, është një nga gjigantët më të mëdhenj të energjisë në fushën e tij.Me mbi 25 vjet përvojë, “AKSA Energji” është kompani lidere turke në sektorin energjetik dhe investitor global kyç në energjinë e qëndrueshme. Kompania ka një kapacitet të instaluar prej mbi 3.500 MW në tetë vende. Ndërsa pronari kryesor i “AKSA Energji”, “Kazançi Hollding”, operon në 22 vende në katër kontinente.

“Në të kaluarën kam thënë se, kur bëhet fjalë për zgjidhjen e problemit të ndotjes së ajrit, ne diskutojmë me investitorë të interesuar për ndërtimin e centraleve kogjenerative të gazit, të cilat në fakt janë e vetmja zgjidhje e qëndrueshme për ajrin e ndotur. Dhe se çdo gjë tjetër do të nënkuptonte fshehjen e problemit”, tha Mickoski në konferencën për media pas takimit me udhëheqësinë e Kazançi Hollding”

Siç tha, bëhet fjalë për centrale kogjenerative me një kapacitet të instaluar prej 500 MW, të cilat prodhojnë 4,1 TWh energji elektrike dhe 720 GWh energji termike në vit.

“Pikërisht ‘Kazançi Hollding’ është kompania me të cilën po diskutojmë për ndërtimin e një rrjeti dytësor të gazit dhe rrjetit të ngrohjes, i cili do të arrijë në amvisëri me kushte jashtëzakonisht të favorshme. Lidhjet me rrjetin e gazit dhe të ngrohjes parashikohen të jenë me 0 denarë për amvisëritë, ndërsa çmimi i gazit natyror për to do të jetë shumë më i ulët sesa çmimi aktual në tregjet e bursave. I gjithë projekti, përfshirë ndërtimin e rrjetit dytësor të gazit, rrjetit të ngrohjes dhe centraleve kogjenerative, është projektuar si një investim prej mbi një miliard euro”, tha kryeministri Mickoski.

Ky investim, sipas tij, nuk është i rëndësishëm vetëm për zgjidhjen e përhershme të problemit të ndotjes së ajrit, por edhe për potencialin energjetik të shtetit. Mickoski thotë se investimet në këtë fushë janë garanci për forcimin e pavarësisë sonë energjetike, e cila në shekullin e 21-të është në fakt forcim i sovranitetit të shtetit në vendimmarrje dhe drejtimin e politikave.

“Po diskutojmë për projekte që janë me rëndësi themelore për mjedisin jetësor, ekonominë, pavarësinë energjetike dhe pozicionimin strategjik të Maqedonisë”, tha Mickoski duke theksuar se bisedimet po vazhdojnë dhe se është i sigurt se shumë shpejt do të arrijnë marrëveshje dhe do të ketë hapa konkretë në realizimin e planeve të tyre.

Kryeministri theksoi se kompania do të jetë në tregun e lirë pa kurrfarë subvencione nga ana e shtetit, jashtë atyre ligjore të cilat i takojnë çdo investitori.

“Çmimi do të përcaktohet në tregun e lirë varësisht se kush do të jetë konsumatori i energjisë elektrike. Ju e dini se energjia termike rregullohet nga komisioni rregullator, kështu që këtu nuk ka asgjë për të korrigjuar apo bërë”, tha Mickoski.

Sa i përket të gjitha çështjeve të tjera shtoi ai, madje edhe pas gazsjellësit ekzistues që vjen nga fqinji ynë lindor kemi hapësirë të lirë që ky investim të furnizohet plotësisht me gaz.

“Por, më lejoni t’ju them edhe një lajm të mirë, e ai është se më në fund presim të nënshkruajmë marrëveshjen për fillimin e ndërtimit të ndërlidhësit me Greqinë në muajin mars sepse dokumentacioni i tenderit është përfunduar. Ne kemi një kompani që ka çmimin më të lirë, ofertën më të mirë, kemi dritën e gjelbër nga bankat që financojnë BEI-në dhe BERZH-in, ndaj pres që nga këtu të hyjmë edhe me një mundësi tjetër, ajo është që ndërlidhësi jugor të jetë më në fund funksional. Kjo është afërsisht tre miliardë metër kub normal në vit”, tha kryeministri.

Ndërlidhësi verior, siç tha Mickoski, është pjesë e projekteve të cilat do të financohen në Planin për rritje i cili ishte miratuar nga ana e BE-së. “E dini që aty kemi 750 milionë euro në dispozicion. Prej atyre 350 ose 400 janë për projekte, ndërsa 350 ose 400 për likuiditet të Buxhetit, tha Mickoski.

Xhemil Kazançi, përfaqësues i “Kazançi Hollding”, tha në konferencën për media se në takim është diskutuar për zgjidhjen e shpejtë të kapaciteteve të Grupacionit Aksa për investime në prodhimin e energjisë elektrike dhe ngrohjes, si dhe për gazsjellësin për zgjidhjen e problemeve energjetike në vend.

“Investimi i përgjithshëm që kemi planifikuar të realizojmë ndër vite do të jetë përafërsisht një miliard euro dhe do t’ia lehtësojë vendit furnizimin më të sigurt dhe të qëndrueshëm të energjisë elektrike dhe termike dhe prodhimit të energjisë elektrike që do të jetë e dobishme për popullin e Maqedonisë”, tha Kazançi.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments