Duam që të potencojmë që mendimi ndryshe për ne paraqet aktin më demokratik të mundshëm, ka shkruar Izet Mexhiti.
“Pas mbledhjes së sotme që mbajti Bashkimi Demokratik për Integrim, duam që me transparencën më të lartë të informojmë gjithë opinionin e gjërë publik që fatkeqsisht konstatojmë se në BDI ekzistojnë standarde të dyfishta, edhe për sa i përket debatit që zhvillohet, por gjithashtu edhe në aspektin organizativ dhe programor. Prandaj sot u shterrën të gjitha mundësitë që ne të debatojmë në mënyrë të sinqertë për problemet reale të cilat në kontinuitet i kemi përseritur.
Sot, duam qe të informojmë se ne do të vazhdojmë me aktivitetin tonë politik në bazë me anëtarësinë e partisë, me ç`rast duam që tju bëjmë thirrje të gjithëve që të na përkrahin në këtë rrugëtim, që të bashkëbisedojmë rreth dallimeve që i imponon ky ekzekutiv që ka uzurpuar organet vendimmarrëse dhe që janë kompetencë e partisë”, shkruan Mexhiti.
Mexhiti ka shtuar se si rezultat i gjithë kësaj situate të krijuar, ju informojmë që nga sot ne do të funkcionojmë si fraksion brenda Bashkimit Demokratik për Integrim dhe do të kemi qëndrimet tona për të gjitha çështjet politike.