Ministri i Arsimit Arbër Ademi i cili njëkohësisht është edhe profesor universitar, thotë se është i kënaqur me rritjet e deritanishme të pagës.
“Po duke pasur parasysh krahasimin e rritjes së rrogave në vitet e fundit, nga pavarësia e deri më sot, unë jam i kënaqur”, deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi.
Sado e lartë të jetë rroga, asnjëherë nuk është boll, thotë kreu i Sindikatës së Pavarur për Arsim, Shkencë dhe Kulturë.
“Edhe sikur të jetë rroga bazë 30 mijë, 40 ose 50 gjithnjë do të jetë e vogël, që është fakt, si njerëz gjithnjë kemi apetite më të mëdha nga ajo që realisht mund të harxhojmë”, potencoi Jakim Nedellkov.
Megjithatë mësuesit dhe profesorët tani për tani nuk janë të kënaqur me rrogat. U takuan sërish me Ministrin e Arbër Ademi dhe i apeluan që kërkesat e tyre t’i përcjellë në seancën e sotme qeveritare.
“Rritja e pagave në fushën e arsimit të fillojë nga 1 janari 2020 dhe të sigurohet nga mjetet e buxhetit përqindje më e lartë se 10 përqind që janë propozuar deri më tani”, theksoi Jakim Nedellkov nga SASHK.
Ademi tha se gjithsesi që edhe ky propozim do të përcillet në qeveri, në seancën e së cilës sot pritet të miratohet propozimi i ministrisë për rritje të rrogave.
“Megjithatë po përsëris se kjo është rritje historike e rrogave”, u shpreh ministri i Arsimit, Arbër Ademi.
Sindikalistët nga ana tjetër janë të bindur se rritja mund të jetë më e madhe se 10%, ndërsa duan që të hyjë në fuqi që në fillim të vitit të ardhshëm e jo në prill.
“Dërgoj apel deri tek qeveria dhe Kryeministri që të mos vijë puna deri tek ajo që realisht mund të ndodhë, për të keq të të gjithë atyre që janë të përfshirë në këtë problematike, edhe për ministrinë edhe për SASHK-un që mund ta përdorë mjetin e tij për presion, e që është greva e përgjithshme”, tha Jakim Nedellkov nga SASHK.
Se a do ta pranojnë 10% e propozuar nga ministria apo jo, Sindikata ende nuk kanë marrë vendim. Me qëndrim thonë se do ta dalin në fund të javës.