Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka ofruar të enjten gatishmërinë e tij për forcim lidhjesh me Shtetet e Bashkuara, teksa ka zhvilluar një takim me presidentin amerikan, Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.
“Kemi shumë të përbashkëta në historinë tonë. U kemi shumë borxh amerikanëve. Ne nuk do ta harrojmë këtë kurrë”, ka thënë Merz gjatë bashkëbisedimit me Trumpin para gazetarëve në Zyrën Ovale në Uashington, duke iu referuar pjesërisht edhe prejardhjes gjermane të Trumpit.Trump e ka quajtur atë “burrë shumë të respektuar”.
“Do të kemi marrëdhënie të mrekullueshme me shtetin tuaj”, ka thënë presidenti amerikan. Ai ka thënë se trupat amerikane do të vazhdojnë të qëndrojnë në Gjermani, dhe që është gjë pozitive që Berlini është duke shpenzuar më shumë para në mbrojtje.Ai e ka përshkruar Merzin si figurë që ka fituar bindshëm zgjedhjet, dhe duke bërë shaka ka thënë se Merz duket “i vështirë”.
Deri më tani, Trump ka llogaritur në presidentin francez, Emmanuel Macron dhe kryeministren italiane, Giorgia Meloni për diskutim të temave kryesore evropiane, mirëpo Merz duket se është futur gjithashtu në atë grup.Përgjatë takimit, Merz i ka bërë thirrje Trumpit që të ushtrojë më tepër presion ndaj Rusisë, në mënyrë që të përfundojë lufta trevjeçare kundër Ukrainës.
“Ju e dini se ne mbështesim Ukrainën, dhe po presim më shumë presion ndaj Rusisë”, ka thënë ai.
Gjermania është mbështetësja e dytë më e madhe për Ukrainën – pas Shteteve të Bashkuara – në aspektin ushtarak dhe financiar, teksa Kievi lufton pushtimin rus.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL