Media EU Reporter* me bazë në Bruksel përmes një investigimi të saj pretendon se deputetja Monika Kryemadhi ka marrë pagesa nga kompani të ndryshme ruse të cilat janë vendosur nën sanksionet e Perëndimit pas agresionit ndaj Ukrainës.
Sipas dokumenteve të publikuara nga EU Reporter, Kryemadhi ka marrë një sërë pagesash në vitin 2017 nga kompani offshore që kontrollohen nga biznesmenë rusë në fushën e naftës dhe që kanë lidhje të ngushta me Kremlinin.
“Dëshmi të tjera tregojnë se Monika Kryemadhi, gruaja e ish-presidentit shqiptar Ilir Meta, ka marrë një sërë pagesash në vitin 2017 nga kompani offshore të kontrolluara nga biznesmenë rusë të naftës me lidhje të ngushta me Kremlini”, theksohet në shkrimin e EU Reporter.

Gjithashtu po sipas këtyre dokumenteve bëhet e ditur pagesat që ka kryer dhe ka marrë Monika Kryemadhi nga kompani me emra konkretë të denoncuara edhe në revistën ‘Forbes’
“Kryemadhi bëri një pagesë për një kompani offshore, “Vradus Holdings”, e cila u zbulua se kontrollohej nga Vitaly Savvin, një tregtar rus në fushën e naftës, kompania e të cilit u zbulua gjithashtu edhe nga Forbes se kishte qenë një nga donatorët më të mëdhenj të Putinit, konkretisht të partisë politike në pushtet, “Rusia e Bashkuar”.
Kryemadhi ka marrë pagesa nga kompania offshore “Holdem Holdings”, e cila kontrollohet nga oligarkët rusë të naftës Alexander Smuzikov dhe Alexander Kaplan”, shkruan më tej EU Reporter.

Oligarkët Smuzikov dhe Kaplan të cilët janë pasuruar nga tregtia e naftës janë “sanksionuar nga Perëndimi për shkak të lidhjeve të tyre me Kremlinin.”
Sipas EU Reporter, kjo nuk është hera e parë që Smuzikov dhe Kaplan zbulohen se janë përfshirë në afera në vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Në vitin 2016, Reuters raportoi se Smuzikov dhe Kaplan ishin zbuluar si palë kontrolluese pas një kompanie të fshehtë të inkorporuar në Mbretërinë e Bashkuar që ofronte për të marrë Makpetrol, distributorin kryesor të produkteve të naftës në Maqedoninë e Veriut. Oferta e tyre u bllokua përfundimisht nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut”, shpjegon EU Reporter.

Megjithatë, media me bazë në Bruksel nuk ka një shpjegim se përse Monika Kryemadhi i ka marrë këto pagesa nga oligarkët rusë.
“Është e paqartë pse Kryemadhi i ka marrë këto pagesa nga këta biznesmenë rusë. Siç përshkruhet në dokumente, referencat e pagesës përfshijnë ‘dividentët për aksionerët’ dhe ‘shërbimet e marketingut”, thuhet në shkrimin e medias me seli në Bruksel.

EU Reporter shton se “bashkëshorti i Kryemadhit, Ilir Meta, i cili aktualisht drejton Partinë e Lirisë Shqiptare, një nga partitë më të mëdha opozitare në Shqipëri, është e lidhur ngushtë me PD-në, që mbështetet po ashtu nga Rusia.”
*EU Reporter – www.eureporter.co është një platformë multimediale me bazë në Bruksel, që ofron informacione dhe komente në formatin video mbi çështjet e BE-së dhe ngjarjet në vende të ndryshme të botës në të gjitha gjuhët zyrtare të BE-së.
EU Reporter publikon rregullisht intervista ekskluzive me politikanë dhe vendimmarrës kryesorë evropianë, si dhe opinione nga mendimtarë, ekspertë dhe njerëz të biznesit me ndikim.
Kjo media lexohet gjerësisht nga ligjbërësit, vendimmarrësit e politikave dhe bizneseve në Bruksel dhe qytetet e tjera evropiane.
EU Reporter vlerësohet me 8%, e barabartë me New York Times dhe Wall Street Journal, dhe përpara Guardian Online (6%) si media online e përzgjdhur nga stafi i institucioneve dhe vendimmarrësve të BE-së.
/rtsh.al/