9.6 C
Tetovo
E shtunë, 26 Prill, 2025
BallinaLajmeMe gjithë thirrjen për konsensus, VV-ja propozoi sërish emrin që s’e pranon...

Me gjithë thirrjen për konsensus, VV-ja propozoi sërish emrin që s’e pranon opozita

As në tentimin e katërt nuk ka marrë votë të mjaftueshme të deputetëve propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit. Edhe në seancën e së premtes, për Albulena Haxhiun votuan 57 ligjvënës, më pak se 61 deputetë sa duhen për të marrë miratim. E pas dështimit në votim, vazhdimi i radhës i seancës konstituive u caktua për të dielën në orën 10.

Ka dështuar të premten edhe përpjekja e gjashtë për konstituimin e legjislaturës së re, pasi Lëvizja Vetëvendosje as në tentimin e katërt nuk ka arritur t’i sigurojë votat e mjaftueshme të deputetëve për zgjedhjen e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit.

Seanca nisi sërish me gati gjysmë ore vonesë. E para se të nisnin punimet, në sallë për disa momente plasën të qeshurat, pasi deputeti i LVV-së, Agim Bahtiri, i solli një shishe qumësht fëmijësh deputetit të LDK-së, Paris Guri. Veprimi u mor pasi Guri ditë më parë deklaroi se do ta votonte për kryeparlamentarin e LVV-së nëse kandidat do të ishte Agim Bahtiri.

E kur seanca nisi, kryesuesi i Avni Dehari, iu drejtua deputetëve me thirrjen për dalje nga ngërçi në Kuvend.

“Mua nuk më takon ta imponoj votimin, por do të ishte mirë të ketë mirëkuptim që ta zhbllokojmë këtë situatë, sepse vërtet qytetarët po presin që të krijohen institucionet e Republikës së Kosovës”, tha ai.

Me gjithë thirrjen për konsensus, LVV-ja e propozoi për herë të katërt kandidaten e njëjtë për kryetare të Kuvendit, e të cilën nuk po e pranojnë partitë opozitare të legjislaturës së kaluar.

“Emri ynë i vetëm është Albulena Haxhiu për kryetare të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ju kërkoj mirëkuptimin tuaj t’i kontribuoni zhbllokimit të kësaj situate në të cilën kemi mbetur në mënyrë që të kalojmë në faza tjera të zgjedhjes së nënkryetarëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, u shpreh Glauk Konjufca.

Propozimi u hodh në votim, por sërish pika e tretë që parasheh votimin e kryeparlamentarit nuk arriti të kalonte.

Nga 118 deputetët e pranishëm në sallë, për Haxhiun kryeparlamentare votuan 57 syresh, 47 u deklaruan kundër e tre abstenuan.

“Në bazë të kësaj, kandidatja nuk votohet dhe detyrohemi ta ndërpresim seancën”, tha Dehari.

Siç e kërkon Rregullorja e Kuvendit, Dehari e ka ndërprerë mbledhjen e së premtes për ta vazhduar sërish pas 48 orësh, të dielën në orën 10:00.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments