Tre mijë e gjashtëqind hektarë tokë në Pollogun e epërm rrezikojnë të mbeten pa ujë për ujitje shkaku i mbylljes së një pjesë të kanalit në lagjen Maleardi në Gostivar.
Nga frika se tokat do t’u mbeten pa ujë, bujq nga 14 fshatra, nga Raveni e deri në Pirok, u mblodhën para njësisë rajonale të ujërave, duke kërkuar që kanali të hapet.
Nga Njësia rajonale e ujërave në Gostivar thonë se për këtë mbyllje kanë njoftuar komunën e Gostivarit dhe ministrinë e Bujqësisë, por deri tash problemi nuk është zgjidhur dhe kanali vazhdon të mbetet i mbyllur.
Nga komuna e Gostivarit me një përgjigje me shkrim thanë se kanali është mbyllur për shkak se përbënte rrezik për banorët e lagjes.
I gjithë problemi ka filluar në shtator kur edhe është paraqitur dëmi dhe që atëherë rasti është proceduar të organet kompetente. Në rast të mos zgjidhjes së problemit, bujqit kanë paralajmëruar protesta do të vazhdoj para organeve tjera.