Qeveria në detyrë ka mbajtur sot mbledhje në të cilën ka marrë disa vendime.
Ndër to ishin edhe vendimet për pagat e zyrtarëve publikë që nga muaji korrik do t’iu dalin me rritje nga 55 euro më shumë, si dhe lehonat e punësuara do të përfitojnë mbështetje në vlerën prej 319.5 euro – që është 50% e pagës mesatare referente.
Vendimet:
Ka përcaktuar pagën mesatare me qëllim të kompensimit të pushimit të lehonisë nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Agjencia e Statistikave të Kosovës, këtë javë, ka publikuar nivelin e pagës mesatare për vitin 2024, e cila ka shënuar rritje të theksuar viteve të fundit, duke arritur në 639 euro. Nga muaji qershor, lehonat e punësuara do të përfitojnë mbështetjen e paraparë sipas Ligjit të Punës për tre (3) muaj nga Qeveria në vlerën prej 319.5 euro – që është 50% e pagës mesatare referente. Krahasuar me nivelin aktual prej 223 euro, mbështetja e re paraqet një rritje prej 43.3%.
Janë ndarë mjetet buxhetore për zbatimin e nenit 33, paragrafi 2. të Ligjit Nr. 08/ L-332 mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2025. Siç është miratuar në Ligjin e Buxhetit, pagat e zyrtarëve publikë këtë vit rriten dy herë nga 55 euro, për të kompletuar rritjen prej 110 euro për të gjithë. Rritja e parë tashmë ka filluar së zbatuari që nga janari i këtij viti. Rritja e dytë do të fillojë zbatimin nga muaji korrik.
Janë ndarë mjetet buxhetore për zbatimin e Masës 3.5 pagesa e lehonave të papuna të Pakos së Ringjalljes Ekonomike. Me këtë vendim, nga muaji qershor vlera mujore e shtesave për lehona rritet nga 170 euro në 325.9 euro – aq sa është vlera neto e pagës minimale të re.
Ka miratuar rregulloren për Trajnimin dhe Testimin e Detyrueshëm, si dhe Certifikimin e Inspektorëve të Republikës së Kosovës. Kjo rregullore zbatohet për të gjithë inspektorët e punësuar në administratën shtetërore dhe në nivel komunal në tërë Republikën e Kosovës, përveç inspektorëve të organeve inspektuese të përjashtuara nga fushëveprimi i ligjit përkatës për inspektimet.
Ka miratuar rregulloren për Procedurën e Pranimit në Shërbimin Civil. Kjo rregullore synon të rregullojë në mënyrë të detajuar dhe të unifikuar të gjitha fazat e procesit të rekrutimit, duke përfshirë shpalljen e konkurseve, përbërjen dhe funksionimin e komisioneve, si dhe procedurat dhe metodat e vlerësimit të kandidatëve.
· Ka miratuar vendimin Preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit, të cilat preken nga realizimi i projektit: “Ndërtimi i Qarkores së Jashtme të Qytetit të Gjilanit dhe Kyçja e Rrugës Nacionale N25.2 dhe N25.3 deri te Autoudha R7.1”.
· Ka miratuar vendimin Preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme ish-shoqërore “Mekanizmi” që menaxhohen dhe administrohen nga AKP-ja, shpronësimi i të cilave është i nevojshëm për realizimin e projektit: “Ndërtimi i ndërtesave të banimit të përballueshëm dhe social për Komunën e Podujevës”.