Të shtunën, pikat kufitare të Shqipërisë janë përballur me një fluks të jashtëzakonshëm qytetarësh që hynin në territorin shqiptar, kryesisht nga Kosova dhe vende të tjera fqinje.
Në pikën kufitare të Morinës është regjistruar ngarkesa më e madhe. Vetëm nga mëngjesi deri në mesditë, aty kanë hyrë mbi 61 mijë qytetarë nga Kosova me rreth 19 mijë automjete, duke shkaktuar radhë të gjata që janë shtrirë deri brenda territorit të Kosovës.
Fluks i lartë udhëtarësh është raportuar edhe në jug të vendit. Në pikën kufitare të Kakavijës, autoritetet shqiptare kanë përpunuar mbi 11 mijë shtetas, prej të cilëve më shumë se 7 mijë vetëm në hyrje të Shqipërisë, si dhe rreth 3 mijë automjete. Për të menaxhuar këtë ngarkesë, pala shqiptare ka punuar me 6 sportele, ndërsa pala greke me 4.Situatë e ngjashme është shënuar edhe në pikat kufitare të Shkodrës. Në Muriqan dhe Han të Hotit, janë përpunuar mbi 32 mijë qytetarë, përfshirë rreth 14 mijë në hyrje të Shqipërisë dhe një total prej 11 mijë automjetesh.
Autoritetet kanë marrë masa për të përballuar fluksin, por ngarkesa e lartë ka shkaktuar vonesa dhe radhë të gjata në shumë prej pikave kufitare./Lajmi.net/