Komisioni Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE – Shqipëri, po zhvillon në Tiranë takimin e 18-të. Dy delegacionet diskutuan mbi sundimin e ligjit në Shqipëri, për luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Në takim u theksua që Shqipëria duhet të garantojë lirinë e medias dhe të drejtat e njeriut, si dhe të shtojë rezultatet kundër korrupsionit. Pjesëmarrësit diskutuan edhe për zgjedhjet, për zhvilimin ekonomik, fqinjësinë e mirë dhe bashkëpunimin rajonal.
Qysh në hapje të takimit ndërparlamentar, kryetari i Delegacionit të Parlamentit Europian, Marco Tarquinio, theksoi se në Shqipëri kanë ndryshuar shumë gjëra vitet e fundit dhe përpjekjet dhe reformat e nisura tashmë prej palës shqiptare kanë mbështetjen europiane në rrugën e integrimit, aq shumë të dëshiruar nga populli shqiptar, duke trajtuar gjithë sfidat që kanë dalë përpara në fusha të ndryshme, sepse zgjidhje të lehta nuk ka.
Ndërsa kryetari i delegacionit të Kuvendit të Shqipërisë, Toni Gogu, tha se takimi i dytë ndërqeveritar Shqipëri – BE, ku u hapën negociatat për kapitujt themelorë, shtoi më shumë përgjegjësi për Kuvendin e Shqipërisë.
Përfaqësuesit e BE-së në Shqipëri theksuan se rezultatet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duhen shtuar dhe se autoritetet shqiptare duhet të garantojnë lirinë e medias dhe respektimin e të drejtave të njeriut, si dhe të mbështesin forcimin e shoqërisë civile krahas konsultimeve me të.
Ambasadosja e Hungarisë, Martina Kasnyik, vendi i të cilës ka kryesinë e radhës së BE-së, kujtoi në fjalën e saj angazhimet e Brukselit se zgjerimi është ambicje BE-së si dhe për të hapur gjatë negociatave të gjithë grupkapitujt e integrimit sa më parë, ndërsa theksoi se përparimi në këto negociata do të kërkojë shtimin e rezultateve për sundimin e ligjit dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Diplomatët e BE-së nënvizuan se liria dhe pluralizmi i medias, të drejtat e pakicave etnike dhe çështja e pronave janë fusha me rëndësi që meritojnë vëmendje maksimale sa i takon grup-kapitujve themelorë të sapohapur.
Po ashtu nevojitet një klimë dialogu në parlament dhe funksionim normal dhe konsultime të hapra, që të përfshijnë edhe shoërinë civile, pohuan ata. Pjesë e kërkesave janë edhe ndryshimet në kodin zgjedhor të kërkuara nga OSBE-odihr për të shmangur shkeljet e vërejtura më parë mbi financimet, përdorimin e burimeve shtetërore në fushata zgjedhore.
BE-ja e ka vlerësuar Shqipërinë për harmonizimin e plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë, si një tjetër shenjë e vendosmërisë së shqiptarëve në rrugën e integrimit europian.voa