Gjithsej 15 899 kandidatë janë paraqitur për dhënie të maturës shtetërore të vitit shkollor 2021/2022. Prej tyre, 7135 janë nxënës të gjimnazeve, 8504 nga shkollat profesionale dhe 260 nga shkollat artistike.
Provimi i parë ekstern – Gjuhë amtare dhe letërsi do të jepet të shtunën, 4 qershor. Sipas të dhënave të Entit shtetëror të provimeve, për gjuhën maqedonase janë paraqitur 11 060, për gjuhën shqipe 4308 dhe për gjuhën turke 313 maturantë.
Dhënia e provimit të dytë ekstern është caktuar për më 13 qershor. Më së shumti paraqitje ka për gjuhën angleze – 14 320 kandidatë, për matematikë janë paraqitur 123\, për gjuhë gjermane 118, tridhjetë kandidatë ka për testin për gjuhën franceze, 10 për gjuhë ruse, 15 do të kalojnë filozofi dhe 100 kandidatë janë paraqitur për estetikë.
Rezultatet nga provimet duhet të kumtohen më së voni 30 ditë nga dhënia e provimit të dytë ekstern. Krahas provimeve eksterne, maturantët kanë edhe dy provime interne dhe një detyrë projektuese.
Nxënësit të cilët përfundojnë arsimin e mesëm edhe këtë vit do të kalojnë maturë shtetërore si edhe gjenerata e vitit të kaluar, e cila luftoi për dy në vend të tre provimeve eksterne dhe për programe të shkurtuara të provimeve.
Matura shtetërore në vend zbatohet prej vitit 2007. Në fund të vitit 2019/2020 për herë të parë nuk u organizua për shkak të KOVID-19, ndërsa me kërkesë të maturantëve të vitit të kaluar që t’u lehtësohen kushtet, numri i provimeve eksterne u ul nga tre në dy përkatësisht provimi i tretë ekstern u zbrit në rang të provimit intern.
Maturën në qershor 2021 e kaluan 15 300 nxënës. Nota mesatare nga dy provimet eksterne vitin e kaluar ishte 3.61 dhe më e mirë nga matura e kaluar shtetërore, në vitin 2019, kur suksesi mesatar ishte 3.48.