12.3 C
Tetovo
E mërkurë, 18 Shtator, 2024
BallinaLajmeMASHTI i kërkon UP-së t’i kthejë pronat e përvetësuara nga profesorët

MASHTI i kërkon UP-së t’i kthejë pronat e përvetësuara nga profesorët

Profesorët e Universitetit të Prishtinës ndër vite kanë përvetësuar pronat e UP-së, kështu ka vlerësuar Ministria e Arsimit në një letër drejtuar Rektoratit. Ministria ka kërkuar nga UP-ja që të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për verifikimin e ligjshmërisë së vendimeve për kalimin e pronave publike në emër të profesorëve. Për këtë problem, KOHA pati raportuar para një dekade.

Ministria e Arsimit i ka kërkuar Universitetit të Prishtinës që të adresojë problemin e identifikimit dhe vendosjen e ligjshmërisë së pronave.

Në një dokument që e ka siguruar KOHA, Ministria ka theksuar se ndër vite pronat e institucionit më të madh publik të arsimit të lartë janë privatizuar nga profesorët e UP-së.

“Në kundërshtim me të gjitha parimet e mirëbesimit dhe ruajtjes së pronës publike, ne jemi njoftuar se në Universitetin e Prishtinës kanë ndodhur transaksione, ku prona e paluajtshme publike e këtij universiteti u është ndarë e dhënë në shfrytëzim dhe në pronësi private individëve, përkatësisht profesorëve të UP-së”, thuhet në dokument.

Në letër është kërkuar nga UP-ja që të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për verifikimin e ligjshmërisë së vendimeve për kalimin e pronave publike në emër të profesorëve.

“Në këtë kuadër, ne si Ministri kërkojmë që Këshilli Drejtues dhe Rektorati i Universiteti të Prishtinës, në pajtim me autorizimet e tyre statutore dhe ligjore, të ndërmarrin të gjitha veprimet ligjore për verifikimin e ligjshmërisë së këtyre vendimeve për shpërndarjen e pronave të Universitetit të Prishtinës, me synim të konstatimit se çfarë procedurash janë ndjekur, çfarë kriteresh të tenderimit janë aplikuar, kush ka vendosur për ato transaksione pronësore, dhe mbi çfarë baze ligjore është tjetërsuar prona publike. Qëllimi është që t’u kthehet ligjshmëria të gjitha pronave publike që kanë qenë subjekt i akteve iniciuese të tjetërsimit apo bartjes te subjektet private”, thuhet tutje në dokumentin e MASHTI-t.

Për tjetërsimin e pronave të UP-së, KOHA ka raportuar në vitin 2014.

Aktmarrëveshjet e jashtëligjshme, të lidhura midis profesorëve, lejonin shitblerjen e pronave universitare, të cilat shfrytëzoheshin për banim.

E vitin e kaluar KOHA pati raportuar se privatizimi i tokave e shtyri në borxh UP-në.

Një parcelë ku gjendet Fakulteti Teknik ishte privatizuar në vitin 2003, e tre biznesmenë, të cilët pretendojnë se UP-ja ua ka shfrytëzuar pronën, ia kërkuan dy milionë euro kompensim për qira Rektoratit.

Mungesa e identifikimit të pronave të UP-së është një kritikë e dhënë edhe nga Zyra Kombëtare e Auditimit.

Ky institucion ndër vite ka kërkuar nga Rektorati që të ndërmarrë masa për vlerësimin e pronave dhe evidentimin e tyre në regjistër.

E në Rektorat nuk kanë treguar arsyen e mostrajtimit të këtij problemi të kamotshëm.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments