Drejtoria për Ekzekutimin e Sanksioneve ka filluar zbatimin e një vendimi tjetër gjyqësor, me të cilin përdoret mbikëqyrja elektronike gjatë ekzekutimit të dënimeve, përcjell TV21. Bëhet fjalë për rastin e tretë ku aplikohet kjo masë.

Sipas informacionit nga institucioni, është marrë vendimi i dytë për zëvendësimin e dënimit me burg me arrest shtëpiak me mbikëqyrje elektronike për një person që duhej të vuante dënimin në një institucion korrektues.Vendimi është marrë nga Gjykata Themelore në Ohër, ku dënimi me burg prej një viti do të ekzekutohet në kushte shtëpiake, me përdorimin e pajisjeve për ndjekje elektronike.

Autoritetet sqarojnë se në rast të mosrespektimit të rregullave dhe kufizimeve, shërbimet e probacionit/vëzhgimit do ta njoftojnë gjykatën, sipas Ligjit për Probacion.

Zyra e probacionit pranë Gjykatës Themelore në Ohër është në koordinim të vazhdueshëm me institucionet përkatëse për zbatimin e masës, ndërsa Departamenti për Mbikëqyrje Elektronike do të kryejë monitorim të vazhdueshëm të personit 24 orë në ditë.

Me këtë masë mundësohet ekzekutimi i dënimeve në kushte të kontrolluara shtëpiake, me qëllim të zbatimit më efikas të sanksioneve dhe zvogëlimit të ngarkesës së institucioneve korrektuese.
