Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se zyrtarët amerikanë dhe iranianë do të zhvillojnë bisedime javën e ardhshme, për të vazhduar dialogun që u ndërpre nga lufta mes Izraelit dhe Iranit.Lufta e shkurtër përfundoi pas arritjes së një armëpushimi më 24 qershor.“Ne do të bisedojmë javën e ardhshme me Iranin. Ndoshta do të nënshkruajmë një marrëveshje, nuk e di”, tha Trump gjatë një konference për media pas samitit të NATO-s në Hagë të Holandës.
Trump tha se nuk është veçanërisht i interesuar për rinisjen e negociatave me Iranin, duke insistuar se sulmet që SHBA-ja kreu ndaj Iranit, ia kanë shkatërruar programin bërthamor Teheranit.
“Siç e shoh unë, ata luftuan, lufta ka përfunduar”, tha ai.
Irani ende nuk e ka pranuar nëse do të mbahen bisedime javën e ardhshme, edhe pse i dërguari për Lindjen e Mesme i SHBA-së, Steve Witkoff, ka thënë se ka pasur komunikim direkt dhe inderekt mes dy shteteve.Armëpushimi i brishtë ka rritur shpresat për paqe afatgjatë, edhe pse Teherani këmbëngul që nuk do të heqë dorë nga programi i tij bërthamor.
Trump, i cili ndihmoi në negociimin e armëpushimit që hyri në fuqi të martën, në ditën e 12-të të luftës, u tha më herët gazetarëve në një samit të NATO-s se gjithçka po shkonte “shumë mirë,” duke shtuar se Irani “nuk do të ketë një bombë dhe nuk do të pasurojë uranium.”