12.8 C
Tetovo
E hënë, 20 Tetor, 2025
BallinaLajmeMaqedonisë së Veriut i duhen 56 vjet për të arritur standardin europian...

Maqedonisë së Veriut i duhen 56 vjet për të arritur standardin europian të jetesës

Megjithatë, ka shumë faktorë që mund ta përshpejtojnë këtë proces. Për ta arritur këtë, është e nevojshme të bëhet puna brenda vendit, pra të zbatohen reforma kyçe që do të sjellin rezultate konkrete në jetën e përditshme të qytetarëve.

– Në shikim të parë, ky numër mund të duket pesimist, pra shumë i gjatë, por ekzistojnë shumë faktorë që mund ta përshpejtojnë këtë proces. Ky është mesazhi në të cilin duhet të përqendrohemi si shoqëri. Si pjesë e hulumtimit, janë përgatitur disa skenarë që tregojnë se si do të ndryshonte kjo periudhë në rast të anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian, me qasje në treg, fonde dhe mbështetje të vazhdueshme institucionale. Të gjithë skenarët, veçanërisht në fushat kryesore – ekonomia, politikat sociale dhe dixhitalizimi – japin një pamje të qartë se situata do të ndryshonte ndjeshëm, madje disa tregues do të përgjysmoheshin, nëse do të kishim anëtarësim të plotë ose qasje të plotë në fondet evropiane, thekson Viktor Mitevski, drejtor ekzekutiv i Shoqatës për Kërkime dhe Analiza (ShKA).

Ajo në të cilën duhet të përqendrohemi si vend është rritja e produktivitetit, investimi në transferta sociale më të zgjuara që synojnë aktivizimin, si dhe investimi në dixhitalizim dhe infrastrukturë.

Sipas Mitevskit, rritja e pagave mund të ndikojë pozitivisht në stimulimin e rrjedhave ekonomike dhe të rritjes, por ky trend duhet të shoqërohet domosdoshmërisht me rritje të produktivitetit.

– Mund të arrijmë rritje të produktivitetit nëse kemi fuqi punëtore të kualifikuar dhe investime në teknologji, jo vetëm nga shteti, por edhe nga sektori privat. Vetëm rritja e pagave, pa rritje të vlerës së shtuar në ekonomi dhe në produktin final, mund të ketë efekt të kundërt. Megjithatë, parametrat ekonomikë tregojnë se në kushtet aktuale ekziston hapësirë për rritje të pagave, shton Mitevski.

Sipas të dhënave të raportit, paga mesatare bruto në vend është rreth 1.000 euro, që përbën një të tretën e pagës mesatare në Bashkimin Evropian, e cila është rreth 3.000 euro. Për të arritur këtë mesatare, do të na duhen rreth 40 vjet.

Pagat më të larta në rajon janë në Serbi, rreth 1.150 euro, të ndjekura nga Bosnja dhe Hercegovina e Mali i Zi, pastaj Maqedonia e Veriut, ndërsa më poshtë renditen Kosova dhe Shqipëria.

Sa i përket Prodhimit të Brendshëm Bruto, qëndrojmë disi më mirë, pasi PBV-ja jonë për frymë është rreth 42 për qind e mesatares evropiane. Megjithatë, ritmi i rritjes është më i ngadaltë se në vendet e BE-së, çka do të thotë se do të na duhet ende më shumë kohë për ta arritur këtë nivel.

Në fushën e arsimit, situata mbetet problematike: nga gjashtë tregues të analizuar, në katër prej tyre po largohemi nga standardet e Bashkimit Evropian. Regjistrohet rënie në investimet shtetërore në arsim dhe në rezultatet e testit PISA. Përparim është vërejtur vetëm në rritjen e numrit të studentëve të regjistruar në universitete.

Sa i përket shëndetësisë dhe dixhitalizimit, ka shenja përmirësimi dhe mundësi reale për të arritur mesataren evropiane.

– Ne nuk jemi kundër Bashkimit Evropian. Ky raport është përgatitur për të kuptuar ku ndodhemi dhe çfarë duhet të bëjmë për t’u përmirësuar. Qëllimi është të analizojmë si është jeta në Ballkan, të shohim nëse po bëjmë përparim, në cilat fusha po ecim mirë e ku po ngecim, dhe të japim sinjale të qarta se çfarë duhet të ndërmarrin politikanët, thotë profesori Branimir Jovanović nga Instituti i Vjenës.

Raporti mbi konvergjencën e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian është rezultat i gati një viti pune nga tetë organizata të përfshira në përgatitjen e tij. Ai u publikua sot, në ditën kur Shoqata për Kërkime dhe Analiza (ShKA) shënon 11-vjetorin e themelimit të saj.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments