18.7 C
Tetovo
E diel, 29 Shtator, 2024
BallinaLajmeMaqedonia me humbje më të madhe të ujit në rajon

Maqedonia me humbje më të madhe të ujit në rajon

Maqedonia e Veriut është një nga vendet me humbjet më të mëdha të ujit në rajon – rreth 63 për qind. Përballja e këtij problemi kërkon një cikël investimi të vazhdueshëm në rrjetin e ujësjellësit, me qëllim reduktimin e humbjeve të ujit nga burimi deri te gota. Sipas të dhënave për vitin 2023 në nivel të gjithë vendit, humbja mesatare e ujit është mbi 60 për qind. Kjo u theksua në Asamblenë e 32-të të Përgjithshme të Rregullatorëve të Ujit nga Bashkimi Evropian – WAREG, që po mbahet në Shkup.

Kryetari i Komisionit Rregullativ për Energjetikë dhe Shërbime për Menaxhimin e Mbeturinave Komunale Marko Bislimoski, thotë se në rajon jemi një nga vendet me humbjet më të mëdha. “Ne kemi thënë disa herë se nuk i ikim përgjegjësisë dhe jemi të gatshëm të përcaktojmë çmimin përfundimtar për të gjitha shërbimet e ujit, duke marrë parasysh edhe përvojën tonë në energji, duke garantuar se do të përmirësojmë efikasitetin e kompanive, do të mundësojmë më shumë investime dhe nga ana tjetër do të reduktojmë humbjet e ujit në nivel shtetëror dhe njëkohësisht nuk do të shkaktojmë asnjë goditje çmimi. Me zvogëlimin e humbjeve do të rriten sasitë që do të faturohen dhe kështu nuk do të ketë nevojë për rritje të çmimit për shërbimet e ujit”, thotë Marko Bislimoski.

Sipas tij, është thelbësore të sigurohet një çmim që do të mundësojë zhvillimin e ndërmarrjeve, që ai të jetë i disponueshëm dhe i pranueshëm për përdoruesit përfundimtarë dhe që rregullatori të marrë kompetencën e plotë në formimin e çmimit përfundimtar. “Për vite kemi insistuar që të marrim plotësisht përgjegjësinë për vendosjen e tarifave reale dhe nxitëse për investime. Me burimet natyrore, si uji, nuk duhet të lejojmë lojëra alibish. Në këtë moment, KRRE përcakton vetëm një gamë tarifash – nga minimumi në maksimum, dhe këshillat e pushtetit vendor zakonisht vendosin për çmimin më të ulët, pra një tarifë që siguron një prag minimal përfitimi me investime të vogla, ndërsa rrjeti nuk rinovohet, dhe punësimi rritet”, thotë ai.

Rekomandimet janë që është i nevojshëm një cikël i vazhdueshëm investimi në infrastrukturë, si dhe optimizimi i numrit të të punësuarve në ndërmarrjet komunale, ndërsa në të njëjtën kohë është thelbësore të sigurohet një çmim që do të mundësojë zhvillimin e kompanive dhe në të njëjtën kohë të jetë i disponueshëm dhe i pranueshëm për përdoruesit përfundimtarë. “Ne si rregullator shohim zgjidhje duke marrë kompentencë të plotë në përcaktimin e çmimit përfundimtar”, thotë Bislimoski. (koha.mk)

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments