Zgjedhjet do të përfshijnë zgjedhjen e 81 kryetarëve të komunave dhe të anëtarëve të këshillave komunale në mbarë vendin, ku rreth 1,8 milionë qytetarë të vendit do të kenë mundësinë të votojnë.Shkup
Pikërisht pas një jave, qytetarët e Maqedonisë së Veriut do të hedhin votën e tyre në zgjedhjet lokale, respektivisht për kryetar komunash dhe këshilla komunash, raporton Anadolu.
Zgjedhjet, e caktuara për më 19 tetor dhe raundi i dytë për më 2 nëntor, do të përfshijnë zgjedhjen e 81 kryetarëve të komunave dhe të anëtarëve të këshillave komunale në mbarë vendin, ku rreth 1,8 milionë qytetarë të vendit do të kenë mundësinë të votojnë.
Sipas të dhënave nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), në këto zgjedhje janë paraqitur 309 kandidatë për kryetar komunash dhe 576 lista të kandidatëve për anëtar të këshillave komunale me gjithsej 10.490 kandidatë.
Fushata zyrtare 20-ditore për zgjedhjet tashmë ka filluar që nga 29 shtatori dhe do të zgjasë deri në mesnatë më 17 tetor, pas së cilës kalohet në periudhën e heshtjes zgedhore derisa të përfundojë votimi.
Gara në Qytetin e Shkupit dhe në Komunën e Çairit
Në Qytetin e Shkupit, ku për një kohë të gjatë shërbimet publike kanë ardhur në pikë ndalese, në zgjedhjet lokale spikasin dy kandidatë kryesorë: Orce Gjeorgjievski, i mbështetur nga VMRO-DPMNE dhe koalicioni, si dhe Kaja Shukova, e mbështetur nga LSDM dhe koalicioni.
Ndërkaq, në Komunën e Çairit që gjendet brenda Qytetit të Shkupit, ku pjesën më të madhe e përbëjnë shqiptarët, do të garojnë zëvendëskryeministri aktual Izet Mexhiti dhe ish-ministri i Jashtëm i vendit, Bujar Osmani.
Partitë politike dhe kandidatët e pavarur në të gjithë vendin kanë organizuar tubime, takime publike dhe fushata të ndryshme, të cilët kryesisht theksojnë infrastrukturën, shërbime më të mira dhe zhvillimin ekonomik lokal.
Buxheti total për zgjedhjet lokale është 9,76 milionë euro
Buxheti total për zgjedhjet lokale të këtij viti është 9.760.000 euro, nga të cilat dy të tretat janë mjete të destinuara për mediat dhe reklamat e paguara politike.
Përveç këtyre parave, është edhe shuma për kompensimin e anëtarëve të bordeve zgjedhore, si dhe transportin dhe shpërndarjen e anëtarëve dhe të materialit zgjedhor nga Komisionet Komunale Zgjedhore (KKZ) deri në qendrat e votimit ku do të zhvillohet votimi, pasi këto i sigurojnë vetëqeverisjet lokale.
Këto janë zgjedhjet lokale të teta të mbajtura në Maqedoninë e Veriut që nga pavarësia, pas atyre në vitet 1996, 2000, 2005, 2009, 2013, 2017 dhe 2021.