6.2 C
Tetovo
E enjte, 28 Nëntor, 2024
BallinaLajmeMaqedonia e Veriut i bashkohet sanksioneve kundër Rusisë

Maqedonia e Veriut i bashkohet sanksioneve kundër Rusisë

Qeveria e Maqedonisë së Veriut njoftoi të enjten se i bashkohet sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Federatës Ruse. Qeveria e miratoi dokumentin për paketën e re të masave kufizuese të BE-së lidhur me gjendjen në Ukrainë, me rekomandimin për bashkimin e Maqedonisë së Veriut ndaj të gjitha këtyre vendimeve të BE-së, thuhet në një komunikatë të qeverisë në Shkup.

Qeveria e ngarkoi Ministrinë e Jashtme që përmes Misionit të përhershëm pranë BE-së në Bruksel të raportojë se i bashkohet sanksioneve dhe fillon procedurën e zbatimit të tyre.

Në këtë fazë të masave kufizuese të BE-së përfshihen persona të politikës dhe biznesit që kanë luajtur një rol për nxitjen e ngjarjeve në Ukrainë dhe atyre u ndalohet qasja tek fondet financiare të Bllokut dhe të vendeve anëtare. Po ashtu sanksionet i vihen një numri të caktuar bankash ruse.

Maqedonia e Veriut ka bashkëpunuar me Federatën Ruse në fushën e tregëtisë dhe sipas të dhënave që i siguroi Zëri i Amerikës, Shkupi më së shumti eksporton barëra dhe pemë e perime, por dhe pjesë për makina. Vlera e përgjithshme e eksportit për vitin 2021 kalon shumën prej 48 milion e 330 mijë dollarësh amerikanë. Ndërkohë, ka importuar mallra nga Rusia me vlerë prej 150 milionë dollarësh, që shënon një deficit tregtar prej rreth 102 milion dollarësh. Rusia është në vendin e 20 në listën e shteteve për vitin 2021, të shkëmbime tregtare pwr Maqedoninw e Veriut.

Qeveria në seancën e sotme ka diskutuar edhe mbi mundësinë e pranimit dhe vendosjes së shtetasve të Maqedonisë së Veriut dhe familjeve të tyre pas evakuimit nga Ukraina.

Kryeministri maqedonas Dimitar Kovaçevski shkruan në rrjetet sociale se e dënon “aktin e agresionit të hapur luftarak nga Rusia ndaj Ukrainës”.
“Qeveria, thekson më tej ai, po e ndjek me vëmendje gjendjen në Ukrainë ndërsa gjendja e sigurisë në vendin tonë është e qëndrueshme dhe në këto momente nuk ka kërcënim të drejtpërdrejtë për Maqedoninë e Veriut”.

Ai shton se qeveria maqedonase do të veprojë me përgjegjësi maksimale dhe në interesin më të mirë për mbrojtjen e ekonomisë vendore dhe të gjendjes financiare të qytetarët të vendit.

Edhe Presidenti Stevo Pendarovski ka dënuar ashpër veprimet që Rusia po i ndërmerr në Ukrainë, për të cilat presidenti maqedonas thotë se “në mënyrë të pashmangshme çojnë drejt humbjes së pakompensueshme të jetëve të njerëzve dhe dëmit material”.

Zoti Pendarovski shprehet më tej se “pushtimi i Ukrainës nga Rusia paraqet sulm ndaj tërësisë tokësore dhe sovranitetit të Ukrainës, shkelje serioze të parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare, goditje ndaj rendit demokratik dhe kërcënim për qëndrueshmërinë e Evropës”.

Presidenti maqedonas thekson se Maqedonia e Veriut, si vend anëtar i NATO-s i bashkohet thirrjeve të Aleancës drejtuar Rusisë për ndërprerjen e veprimeve luftarake në territorin e Ukrainës. “Në emër të popullit të Maqedonisë së Veriut shpreh solidarizimin me popullin ukrainas në këto kohë të vështira”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga zyra e presidentin Pendarovski.

Zoti Pendarovski ka njoftuar mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të diskutuar mbi agresionin rus në Ukrainë.

Ministri i jashtëm Bujar Osmani ka theksuar se vendimi i Kremlinit për të ndërmarrë veprime ushtarake nuk është gjë tjetër përveç një akt i agresionit dhe fillim i luftës kundër Ukrainës. Osmani shkruan më tej se i dënon në mënyrën më të fuqishme këto akte.VOA

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments