Maqedonia e Veriut përgatitet të prezantojë planin e saj të dielën e 3 dhjetorit për të hequr dorë nga energjia me qymyr, minatorët në fabrikën e Manastirit po mbarojnë rezervat e qymyrit dhe duhet të përziejnë linjitin me qymyrin e importuar të shkallës më të lartë për të mbajtur prodhimin në proces, informon PRESSonline.al
Vendi me 2 milionë banorë pritet të marrë mbështetjen e huadhënësve ndërkombëtarë në bisedimet për klimën COP28 në Dubai për një plan prej 3 miliardë euro për mbylljen e termocentraleve të tij me qymyr, për prodhim të energjisë më të pastër. Kreu i sektorit të energjisë, Marko Bislimoski, të cilin e citon ScanTv, ka deklaruar se kjo është sfida më e madhe në historinë e vendit që nga shpallja e pavarësisë 30 vjet më parë.
Bislimoski tha se pas 10 vitesh Maqedonia e Veriut do të “çlirohet” nga qymyri dhe energjia do të vijë nga burimet e rinovueshme dhe gazi. Rreth 200 kamionë mbërrijnë çdo ditë të mbushura me qymyr me cilësi më të mirë nga Shqipëria dhe Greqia për t’u përzier me linjitin vendas për të ushqyer tre njësi në termocentralin me kapacitet 700 megavat.
Marrëveshja e re do të parashtrojë një plan për mbylljen e dy termocentraleve të qymyrit të vendit dhe zëvendësimin e tyre me 1.7 gigavat energji të rinovueshme. Qymyri ende përfaqëson 40% të burimit të energjisë për vendin, sipas Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, e cila së bashku me Bankën Botërore po mbështesin gjithashtu marrëveshjen, informon PRESSonline.al
Kombet e Bashkuara në vitin 2018 e shpallën kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkupin, si më të ndoturin në Europë. Vendi ka punuar për vite me radhë për të hequr dorë nga qymyri, por planet u vonuan në vitin 2021 kur Europa u përball me një krizë energjetike për shkak të luftës në Ukrainë dhe Shkupit iu desh të rihapte termocentralin me qymyr në Oslomej për të reduktuar importet e energjisë elektrike.