Maqedonia e Veriut në krizë të thellë institucionale, e fundit në Ballkan sa i përket besimit të qytetarëve në secilin institucion të shtetit, thuhet në komunikatën e institutit për politika publike “Arbën Xhaferi” . Sipas të dhënave të Barometrit të Ballkanit (2023) nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal, besimi i qytetarëve të Maqedonisë së Veriut në institucionet kryesore të shtetit është më i ulëti në rajon, edhe atë për secilin institucion veç e veç. Vetëm 18% e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut i besojnë parlamentit, krahasuar me 21% në Bosnje-Hercegovinë, 27% në Shqipëri, 32% në Mal të Zi, 41% në Serbi dhe 63% në Kosovë.
Besimi I qytetarëve të maqedonisë së veriur është tepër I ulët edhe në institucionet e tjera.
INSTITUTI PËR POLITIKA PUBLIKE “ARBËN XHAFERI”
Vetëm 24% e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut i besojnë avokatit të popullit, krahasuar me 37% në Shqipëri, 39% në Bosnje-Hercegovinë, 43% në Mal të Zi, 46% në Serbi dhe 52% në Kosovë. Vetëm 35% e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut i besojnë policisë, krahasuar me 40% në Bosnje-Hercegovinë, 41% në Kosovë, 46% në Shqipëri, 47% në Mal të Zi dhe 62% në Serbi”.
Duke komentuar rezultatet e Barometrit të Ballkanti 2023, Arben Fetai, drejtori i Institutit për Politika Publike Arbën Xhaferi tha se këto të dhëna flasin për një krizë të thellë institucionale, pasi që asnjë institucion i Maqedonisë së Veriut nuk gëzon besimin e shumicës së qytatarëve.
ARBEN FETAI, DREJTORI I INSTITUTIT PËR POLITIKA PUBLIKE “ARBËN XHAFERI”
“Kjo gjë do duhej të ishte një sinjal alarmi për institucionet dhe në veçanti për pushtetin ekzekutiv i cili është përgegjësi kryesor për hartimin dhe zbatimin e politikave shtetërore. Maqedonia e Veriut ka nevojë urgjente për një ndërrim paradigme të cilit duhet t’i prijë qeveria para se pasojat e kësaj thyerje të kontratës sociale midis qytetarit dhe shtetit të marrin përmasa më të mëdha dhe të pariparueshme, siç janë ekzodi masiv i rinisë dhe trazirat sociale.“
Barometri i Ballkanit është sondazh vjetor i opinionit publik dhe i ndjenjave të biznesit në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, i porositur nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal. Ai analizon aspiratat dhe pritshmëritë e qytetarëve për jetën dhe punën, tendencat mbizotëruese socio-ekonomike dhe politike, përfshirë integrimin rajonal dhe evropian.